Prokuroria e Prizrenit ngrit 27 aktakuza për uzurpimin e pronës së Hekurudhës

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur 27 aktakuza kundër 27 personave për rastet e uzurpimit të pronës së Hekurudhës në këtë komunë.

Pas pranimit të 51 kallëzimeve penale nga Kompania për Menaxhim të Infrastrukturës Hekurudhore – “INFRAKOS SH.A”, Prokuroria Themelore ka trajtuar dhe hetuar të gjitha këto kallëzime penale, dhe pas koordinimit të veprimeve të nevojshme hetimore ka ngritur 27 aktakuza kundër 27 personave, për veprat penale:

“Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme” nga neni 332 paragrafi 2 dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” neni 333 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Nga të gjitha lëndët e pranuara, në 6 prej tyre janë hudhë kallëzimet penale, ndërsa 18 lëndë janë ende në punë, për të cilat Prokuroria në Prizren, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

Gjithashtu, Departamenti për Krime të Rënda ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve për 13 persona për shkak të dyshimit të arsyeshëm se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 i Kodit Penal, si dhe për veprat penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” nga neni 368 paragrafi 1 dhe “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme” nga neni 332 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me lëshimin e lejeve ndërtimore në afërsi të pronës së Hekurudhës, duke mos respektuar distancën e duhur nga binarët, sipas Ligjit për Hekurudhat e Kosovës.