Prokuroria e policia në konferencë për media, tregojnë për arrestimet e sotme në aksionin “Subvencioni 2021”


Prokuroria Themelore në Prishtinë, do të mbajë sot konferencë për media lidhur me aksionin i cili është vazhdimësi e operacionit të zhvilluar më 24 shkurt 2021, rasti “Subvencioni 2021”.

Pjesëmarrës në këtë konferencë do të jenë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës.

“Konferenca do të mbahet nga ora 16:30, në objektin e Prokurorit të Shtetit, kati i tretë, salla e takimeve të KPK-së, duke respektuar masat për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19”, thuhet në njoftimin e tyre.

Shtatë zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë janë prangosur sot, në vazhdimësinë e aksionit “Subvencioni 2021”. Zyrtarët e arrestuar dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti në ndarjen e subvencioneve.

Aksioni është duke vazhduar edhe në qytete të tjera, me ç’rast janë arrestuar edhe disa persona të tjerë.