Gjatë ditëve të kaluara, mediat kanë raportuar për dorëheqje të shumta të stafit mbështetës serb dhe prokurorëve në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

E këto lajme si duket kanë qenë të pasakta, apo janë bërë qëllimshëm nga zyrtarë serb për të bërë situatën më tragjike, shkruan Ballkani.info.

Të gjitha këto lajme, Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka hedhur poshtë përmes një njoftimi për media ku ka thënë se këto informacione nuk qëndrojnë dhe se janë të pasakta.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, njofton opinionin se lajmet që janë publikuar në media të ndryshme lidhur me largimin e prokurorëve dhe stafit mbështetës serb nga sistemi prokurorial i Republikës së Kosovës, gjegjësisht nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, nuk qëndrojnë dhe janë plotësisht të pasakta.

Po ashtu, ju njoftojmë se, sot, të gjithë prokurorët dhe stafi mbështetës serb kanë filluar punën si çdo ditë tjetër, si dhe, prokurorët kanë shkuar nëpër gjykata për të mbajtur seancat gjyqësore.

Andaj, kërkojmë nga gjitha mediat mirëkuptim për mos publikimin e lajmeve që nuk janë të vërteta, dhe të pa konfirmuara paraprakisht nga sistemi prokurorial.
Sistemi prokurorial i Republikës së Kosovës, mbetet i përkushtuar në ofrimin e informatave drejtë publikut.