Prokuroria e Hagës ia përmend Selimit sanksionet që ia kanë vënë SHBA-të, nuk e përfill fare letrën e Kurtit

16 faqe argumente kundërshtuese për lirimin e Rexhep Selimit ka dërguar Prokuroria e Specializuar e Hagës tek gjyqtari i Procedurës Paraprake, Nicollas Guillou. Argumentet e parashtruara të Prokurorisë janë kundërpërgjigje ndaj kërkesës për lirim të Selimit, në të cilën ishte bashkëngjitur edhe një letër e liderit të VV-së, Albin Kurti.

51 pika argumente e 14 faqe dokumente i ishin dërguar Gjykatës Speciale nga avokati i Rexhep Selimit, përmes së cilave artikuloheshin arsyet se pse “10-shi” i UÇK-së që tani përballet me akuza për krime lufte duhet të lirohet nga paraburgimi. Kësaj kërkeseje të mbrojtjes i ishte bashkëngjitur edhe një letër e liderit të VV-së, Albin Kurti, i cili kërkonte nga gjyqtari francez i procedurës paraprake të marrë për bazë kërkesën e Rexhep Selimit.

Sidoqoftë, të gjitha argumentet si dhe kushtet e propozuara nga mbrojtja e Selimit janë hedhur poshtë nga Prokuroria e Specializuar e Hagës. Kjo e fundit, i ishtë përgjigjur një nga një kërkesës së avokatit të Selimit për lirimin e klientit të tij nga paraburgimi.

Prokuroria e Specializuar në parashtresat e saja thekson se dorëzimi vullnetar i Rexhep Selimit tek autoritetet e Speciales nuk nënkupton se s’ka rrezik arratisjeje apo interferimi në proces. Prokuroria thotë se Selimi ka qenë i informuar se çdo veprim i tij mund të çojë në arrestim brenda 24 orësh, dhe se sipas tyre ai “s’ka pasur zgjidhje tjetër, pos dorëzimit vullnetar”.

Tutje, në parashtresat e veta, Prokuroria e Specializuar përmend faktin se Rexhep Selimi është në listën e sanksioneve të SHBA-së. Tutje, sipas Prokurorisë së Specializuar fakt tjetër pse Selimi nuk duhet të lirohet është edhe tendenca e tij për të interferuar në procese gjyqësore.

Por Prokuroria e Specializuar nuk ndalet me kaq. Në parashtresat e saj përmend edhe rrjedhjen e dosjeve të veta. Aty thuhet se ka dyshime se publikimi i këtyre dosjeve është pjesë e një kampanje për intimidim të dëshmitarëve. Sipas të njëjtave, OVL e UÇK-së ka një rrjet aktiv të personave “armiqësor ndaj hetimeve të Prokurorisë së Specializuar”. Sipas pretendimeve, Rexhep Selimi mund të ndikojë në këtë rrjet.

“Për shkak të rolit të tij të kaluar si një udhëheqës i lartë i UÇK-së, Rexhep SELIMI është në një pozitë me ndikim të veçantë në këtë rrjet. Mbrojtja e SELIMIT nuk arrin të pranojë që ekzistenca e rrjeteve të tilla krijon rreziqe që shtrihen individualisht te Selimi”, thuhet në parashtresat e Prokurorisë së Specializuar.

Nga ajo që vërehet në parashtresa, Prokuroria e Hagës as që është marrë me letrën që Kurti ka dërguar në Gjykatë për Rexhep Selimin.

Prokuroria e Specializuar tutje ka kundërshtuar kushtet e vëna nga mbrojtja e Selimit për lirimin e tij, duke nënvizuar se EULEX nuk ka mandat t’i mbikëqyr të njëjtat.

Madje, përkundër se Policia e Kosovës ka dhënë asistencë në operacionet e Speciales, Prokuroria e Hagës thotë se autoritetet e Kosovës nuk kanë aftësi për të monitoruar një të akuzuar si Selimi.

Tutje, në parashtresat e Prokurorisë përmendet po ashtu edhe rasti i Remzi Shalës, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”. Ndonëse ky i fundit i ishte arratisur nga ftesa e parë që i kishte ardhur nga Specialja, Prokuroria e Hagës nuk e përmend specifikisht këtë rast.

Aty theksohet se ndaj Shalës ishte ngritur aktakuzë për krime lufte më 19 tetor të 2016-tës nga autoritetet vendore të drejtësisë në Kosovë. Prokuroria e Hagës thekson faktin se Shala përgjatë gjykimit të tij ishte liruar nga paraburgimi, e më pas ishte arratisur. Aty thuhet se ndonëse Shala duhej të paraqitej në gjykatë në janar të 2019-tës, ai nuk e kishte bërë një gjë të tillë, duke mos e informuar as gjykatën për arsyet. Për këtë çështje, ndaj Shalës ishte lëshuar fletë-arrest ndërkombëtar.

Përveç kësaj, si fakt kundër lirimit të Rexhep Selimit nga paraburgimi, Prokuroria e Hagës përmend edhe arratisjen e Sami Lushtakut nga QKUK, si dhe konfliktin e tij me avokatin Gazmend Halilajn, për kanosjen e së cilit ai është dënuar me 2 mijë euro nga gjykata.

Pas shkrimit të parashtresave të Prokurorisë së Specializuar, gjykatësi francez i Procedurës Paraprake u ka dhënë avokatëve të Thaçit, Krasniqit e Selimit kohë që deri nesër të dërgojnë përgjigjet e tyre për limitet kohore të dërgimit të përgjigjeve shtesë në lidhje me kërkesat e tyre për lirim nga paraburgimi.

Ndërkaq, nuk dihet nëse kërkesë për lirim ka bërë avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, pasi që deri më tani nuk ka ndonjë parashtrim që përfshinë edhe ish-kreun e PDK-së.