Prokuroria dorëzon një listë të ndryshuar të provave në rastin Thaçi e të tjerët

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar një listë të ndryshuar të provave në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në shkresën drejtuar gjyqtarit paraprak, thuhet se në bazë të vendimit dhe Rregullit 95 (4) të Rregullores, Zyra e Prokurorit të Specializuar paraqet një listë të ndryshuar të provave, duke përfshirë materialin shtesë të krijuar gjatë gjykimit në rastin KSC-BC-2020-05, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kjo dosje është konfidenciale, Aneksi 1 është rreptësishtë konfidencial dhe ex parte, dhe Shtojca 2 është konfidenciale në përputhje me Rregullën 82 (4). ZPS nuk kundërshton riklasifikimin publik të kësaj dosjeje, por Anekset 1 dhe 2 duhet të ruajnë klasifikimet e tyre përkatëse”, thuhet në këtë shkresë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.