Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka autorizuar Inspektoratin Policor të Kosovës lidhur me veprimet policore të ndërmarra në protestat e mbrëmshme.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar hetuesit e IPK-së të ndërmarrin veprime paraprake për trajtimin e secilit rast që lidhet me veprimet e zyrtarëve policorë gjatë protestës së mbajtur më 05.10.2026 në hapësirat përreth objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Qëllimi i autorizimit është grumbullimi i informatave dhe provave relevante lidhur me tejkalimin eventual të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës, sa i përket shpërndarjes së protestuesve, tha Prokuroria.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve me IPK-në, do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore me qëllim të ndriçimit të secilit rast ku dyshohet të jetë përdorur forcë përtej nevojës dhe autorizimeve që burojnë nga legjislacioni në fuqi”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë u zotua se mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të gjitha rrethanave të krijuara gjatë zhvillimit të protestave.