Prokurori turk: Jamal Khashoggit “i është zënë fryma”, para se trupi i tij të copëtohej

Prokurori i Përgjithshëm i Stambollit, Irfan Fidan, ka lëshuar një deklaratë mbi mënyrën e vdekjes dhe asgjësimin e trupit të gazetarit të vrarë saudit, Jamal Khashoggi.

Sipas TrtWorld, përcjell Telegrafi, deklarata e lëshuar të mërkurën ka thënë se Khashoggi u mbyt, duke “iu zënë fryma” dhe trupi i tij u copëtua.

Deklarata e Fidan pasoi vizitën e Prokurorit të Përgjithshëm saudit, Saud al Mujeb, për të ndihmuar hetimin e Turqisë në vrasjen e gazetarit të shquar dhe kritik të qeverisë saudit.

Jamal Khashoggi, një shtetas saudit dhe kolumnist i “Washington Post”, për herë të fundit u pa duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor dhe që nga ajo datë nuk ka patur më asnjë lajm për të.

Sipas vlerësimeve nga burimet turke të policisë derisa është konfirmuar se Khashoggi nuk ka dalë më nga ndërtesa e konsullatës ku ai hyri më 2 tetor, është bërë e ditur se në ditën e zhdukjes së Khashoggit, 15 sauditë të tjerë, përfshirë disa zyrtarë, arritën në Stamboll me 2 avionë dhe vizituan konsullatën ndërkohë që ai ishte ende brenda.