Prokurori s’pajtohet me vendimin e Themelores, paralajmëron ankesë në Apel për arrestin shtëpiak të caktuar ndaj policit

Prokurori i rastit, Dorian Juniku ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Pejë, e cila caktoi masën e arrestit shtëpiak ndaj policit S.H, i cili dyshohet për rrahjen e koleges.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, vet prokurori Juniku.

Ai tha se pas pranimit të vendimit, do të bëjë paraqitjen e ankesës në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, përmes një komunikate për medie, të enjten ka njoftuar se ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit S.H, ndërsa ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej një muaji.

Në rast të shkeljes së kësaj mase, thuhet se gjykata mund të caktojë masën e paraburgimit.

“Andaj, duke pas parasysh se sipas nenit 173 par.2 të KPRK-së sipas së cilës “me rastin e vendosjes se cilën nga masat do ta zbatoj për të siguruar praninë e të pandehurit, gjykata detyrohet ti merr parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete dhe të siguroj që të mos zbatoj masën më të rëndë kur mjafton masa më e butë”, gjykata vlerësoj se duke ju referuar rrethanave të rastit, masa e paraburgimit ndaj të pandehurit në fjalë si masë më e rëndë duhet të caktohet vetëm si masë përjashtuese, ngase mbajtja e të pandehurit në paraburgim asnjëherë nuk duhet të jetë masë ndëshkuese, por duhet të kihen parasysh faktet e çështjes penale për çka ka gjetur se në rastin konkret masa e arrestit shtëpiak ofron siguri të mjaftueshme për zhvillimin normal dhe të suksesshëm të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, seanca e paraparë për të mërkurën, për shqyrtimin e masës së paraburgimin, ishte anuluar me arsyetimin se i dyshuari nuk është sjellë në seancë për shkaqe shëndetësore.

Më 16 maj, Inspektorati Policor i Kosovës kishte arrestuar zyrtarin policor S.H në Pejë nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “kanosje”, duke lënduar rëndë dhe kanosur kolegen e punës.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.