Ardian Hajdaraj

Prokurori Ardian Hajdaraj kryesues i ri i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në takimin e 241-të të mbajtur të martën, ka zgjedhur prokurorin Ardian Hajdaraj, kryesues të ri të këtij Këshilli.

Me 9 vota për dhe asnjë kundër, Hajdaraj është zgjedhur kryesues i ri i Këshillit Prokurorial, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ardian Hajdaraj është anëtar i KPK-së që vjen nga radhët e Prokurorisë Themelore në Pejë.

Kujtojmë se në garë për këtë pozitë kanë qenë edhe anëtarët Jehona Grantolli dhe Veton Shabani. Por, që të dy janë tëhequr nga kandidimi, andaj vetëm Hajdaraj kishte mbetur në garë.

Më 15 janar 2024, KPK-ja hapi thirrjen publike për kandidimin e anëtarëve të KPK-së, për pozitën e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit.

Deri më tani, pozitën e kryesuesit të Këshillit Prokurorial e ka mbajtur Jetish Maloku.

Kujtojmë se mbledhja e kaluar kishte dështuar për shkak të mungesës së anëtares Jehona Grantolli, e cila kishte njoftuar se ka qenë në pushim.

Ndryshe, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), KPK që nga 18 janari 2021 udhëhiqet nga Jetish Maloku, i cili është zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme në këtë pozitë. Pozitën e anëtarit në KPK, Maloku e ka mbajtur gjatë viteve 2011-2015. Ligji për KPK-në, i cili aktualisht është në fuqi ka përcaktuar qartë se anëtarët e Këshillit qëndrojnë në detyrë për një mandat pesëvjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Ky përcaktim i dhënë në këtë dispozitë, pamundëson dhe ndalon që anëtarë të KPK-së të rizgjidhen kandidatët që paraprakisht kanë ushtruar këtë funksion.

Kujtojmë, që Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me anë të një reagimi më 21 tetor 2020, kishte theksuar se nominimi i prokurorit Jetish Maloku, për anëtar të KPK-së ishte i kundërligjshëm, pasi ai këtë pozitë e ka mbajtur edhe më herët.

Sipas IKD-së, fakti se Maloku nuk ishte zgjedhur si anëtar i KPK-së sipas ligjit aktual, por është zgjedhur sipas ligjit të asaj kohe, nuk i jep të drejtë që të rizgjedhet në pozitën e anëtarit të KPK-së. Më tej, në këtë reagim është thënë se kandidatura e Malokut është në kundërshtim të hapur me Ligjin Nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi më 15 prill 2019. Neni 12.1 i këtij ligji specifikon se “Anëtarët e Këshillit qëndrojnë në detyrë për një mandat pesë vjeçar, pa të drejtë rizgjedhje”.

Sipas IKD-së, kjo dispozitë ligjore ka përcaktuar se një prokuror ka të drejtë të jetë vetëm një mandat si anëtar i KPK-së dhe i njëjti nuk mund të rizgjidhet përsëri në këtë pozitë. Qëllimi i këtij neni është që përbërja e KPK-së të ripërtërihet vazhdimisht dhe jo që anëtarët paraprak të zgjedhen përsëri anëtarë në KPK.

VIDEO BONUS: ​Ministri gjerman i Mbrojtjes viziton Kosovën më 5 shkurt