pagat

Prokurorët do të marrin mbi 66 mijë euro pagë shtesë

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Këshillit Prokurorial për shtesat e prokurorëve të Prokurorisë Speciale dhe për kryeprokurorin e kësaj prokurorie, Reshat Millaku.

Sipas këtij vendimi, prokurorët do të marrin shtesë nga 400 euro, ndërsa kryeprokurori 500 euro. Por, shoqëria civile këtë vendim e konsideron të jashtëligjshëm dhe ndërhyrje politike në sistemin prokurorial.

Mbi 66 mijë euro pagesa shtesë për vitin 2018 do të marrin prokurorët e Prokurorisë Speciale.

Qeveria e Kosovës të martën ka marrë vendim që prokurorët Specialë të marrin pagë shtesë nga 400 euro, ndërsa kryeprokurori i kësaj prokurorie 500 euro.

Por, ky vendim i Qeverisë Haradinaj është cilësuar si precedent i rrezikshëm dhe ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Për më tepër, sipas tyre, ky vendim është i kundërligjshëm pasi bazuar në legjislacionin në fuqi, Kuvendi është ai që e ka kompetencën për përcaktimin e pagës, sipas propozimit të Këshillit Prokurorial, e jo Qeveria.

Megjithatë, ndryshe mendon kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Blerim Isufaj insiston se shtesat janë stimulim për punën e prokurorëve në luftimin e korrupsionit.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kanë thënë se ky vendim nuk është i ri, pasi në vitet e kaluara pagesa shtesë ka qenë 800 euro për prokurorët e Prokurorisë Speciale.

Sipas ministrit Tahiri, ky është vendim i ri që paraqet ulje të pagesës shtesë për 400 euro.