Projekti për vila afër Liqenit të Badovcit, Komuna e Prishtinës publikon vendimet

Komuna e Prishtinës ka publikuar të martën vendimet që i ka marrë rreth lagjes së planifikuar për t’u ndërtuar afër liqenit të Badovcit.

Përmes një postimi në Facebook, Komuna thotë se këtë veprim po e bën me qëllim të mënjanimit të keqinterpretimeve të paqëllimshme dhe të qëllimshme.

Komuna thotë se në shtator të vitit 2017, pala ka aplikuar për kushte ndërtimore në pronën private në afërsi të Badovcit. Pjesa më e madhe është jashtë Zonës II të Liqenit.

Ndërkaq, në vitin 2018, Komuna thotë të ketë marrë Vendim Refuzues për Kushtet, për çka ka bashkangjitur edhe vendimin e protokolluar, për shkak të, siç thotë Komuna, “vendimit të qeverisë për zonën e mbrojtur”. Por thekson se “Kushtet Ndërtimore nuk janë Leje” mirëpo “janë kushtet për të aplikuar për leje”.

“Pala është ankuar në shkallën e dytë në ministri të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria ka marrë vendim ku e ka pranuar ankesën e palës dhe ka obliguar Komunën e Prishtinës të veprojë sipas vendimit (shih dokumentin më poshtë)”, thotë Komuna.