Prishtinë

Projekti për Parkun Memorial në Velani nis vitin e ardhshëm

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale (AMKM), Bislim Zogaj, në një përgjigje për Kallxo.com ka treguar për projektin e kësaj agjencie për Parkun Memorial në Velani, që do të fillojë vitin e ardhshëm.

Zogaj tha se projekti do të fillojë vitin e ardhshëm dhe, sipas tij, ai do të bashkëpunojë me gjithë faktorët duke përfshirë edhe Komunën e Prishtinës.

“Duke filluar nga viti i ardhshëm, do t’i mbledhë gjithë faktorët e mundshëm, duke përfshirë Komunën e Prishtinës, Ministritë dhe gjithë faktorët tjerë për fillimin e projektit të këtij Parku Memorial, për t’i dhënë Prishtinës dhe gjithë Kosovës një memorial siç i ka hije. Periudha se kur do të nisë saktësisht ende nuk dihet, por besoj që në fillim të vitit të ardhshëm”, deklaroi Zogaj.

Ai, gjithashtu, tha se buxheti ende nuk është ndarë për këtë projekt, duke treguar se dy projekte të mëparshme kanë dështuar për këtë Memorial.

”Buxheti ende nuk është i ndarë për arsye se ende nuk e kemi caktuar projektin se si do të zhvillohet. Por, edhe për faktin se dy projekte të mëparshme kanë dështuar’’, përfundoi Zogaj.

Ndërsa, Fatime Hajdari nga Drejtoria e Parqeve në Komunën e Prishtinës, tha se Parku Memorial në Velani është në kompetenca të AMKM-së dhe se shqetësimet e banorëve të lagjes duhet të adresohen në planin e projektit të ri.

“Sa i përket Parkut Memorial në Velani, pasi kam marrë detyrën si drejtore e Drejtorisë së Parqeve jam interesuar se kujt i takon administrimi i kësaj zone, e lënë për vite të tëra pa trajtimin e duhur institucional. Administrimi i Parkut Memorial i përket Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale. Shqetësimi i banorëve është me vend dhe sigurisht që duhet të adresohet në planin e projektit të ri pasi që projektet paraprake, nisur që në vitin 2008, fillimisht me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si bartëse, kanë dështuar”, ka deklaruar Hajdari.

Banorët e lagjeve përreth Parkut Memorial në Velani, nëpërmjet një letre të dërguar institucioneve ditë më parë, ndër të tjera kanë kërkuar që të ngrihet një memorial inovativ, ku do të shënoheshin emrat e të gjithë dëshmorëve aktualë dhe të gjithë kontribuuesve të deritashëm dhe të atyre që vijnë pas.