Pas një dekade planifikim, punimet për ndërtimin e tunelit më të gjatë nën ujë, po ecin me hapa të shpejtë. Tuneli që do të lidhë Danimarkën dhe Gjermaninë pritet të hapet në vitin 2029 dhe do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit midis dy vendeve.
“Një pjesë e tunelit pritet të jetë gati në fund të vitit, ose në fillim të vitit të ardhshëm. Për momentin, sapo ka përfunduar një port i përkohshëm në zonën daneze. Gjithashtu, është ngritur edhe fabrika që do të ndërtojë seksionet e tunelit. Çdo seksion do të jetë 217 metra i gjatë, 42 metra i gjerë, 9 metra i lartë dhe me peshë 73.000 tonë.”, ka thënë Henrik Vincentsen, CEO i Femern A/S, kompania shtetërore daneze përgjegjëse për projektin.
Tuneli Fehmarnbelt – 18 km i gjatë – konsiderohet si një nga projektet më të mëdha të infrastrukturës në Europë, me një buxhet ndërtimi rreth 7 miliardë euro. Ai do të ndërtohet përgjatë Brezit Fehmarn, një ngushticë midis ishullit gjerman të Fehmarn dhe ishullit danez të Lolland, duke u projektuar si një alternativë ndaj transportit me tragete, që përdoret nga miliona pasagjerë çdo vit. Udhëtimi që tani zgjat 45 minuta me traget, do të zgjasë vetëm 7 minuta me tren dhe 10 minuta me makinë.







