Kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës, për të parën e Mitrovicës së Veriut, Gonxhe Çaushi, ka thënë se nëse ajo do t’i fitojë zgjedhjet e 19 majit, do të punojë në kthimin e mirëbesimit në mes të komuniteteve.

Ajo ka deklaruar për klankosova.tv se komunikimi me të gjitha shtresat e shoqërisë në Veri, do të jetë kushti i parë për të arritur sukses në programin e saj udhëheqës.

”Do punojë në kthimin e mirëbesimit ndërmjet komuniteteve duke komunikuar me të gjitha shtresat e shoqërisë në veri si kusht i parë për të ecur tutje”.

Çaushi pohon se zhvillimi dhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore, rindërtimi i shtëpive të dëmtuara nga lufta dhe përkrahja në pagesat e qirasë për refugjatët që janë të shpërngulur nga pronat e tyre, do të jenë pjesë e planit të udhëheqjes së saj në Veri.

”Plani im përfshin ndriçimin publik, ujërat e zeza, rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga lufta, shkolla dhe çerdhe për fëmijë”.

”Do ketë përkrahje ndaj bizneseve të vogla dhe të mesme për të hapur vende të reja pune përmes subvencioneve duke siguruar fonde nga Qeveria, Bashkimi Europian dhe Fondi për Zhvillimin e Veriut, pagesat e qirasë për refugjatët që janë të shpërngulur nga pronat e tyre”.

”Pra, të mbizotërojë gjithandej rendi dhe siguria”, përfundon ajo.

Gonxhe Çaushi e cila synon ta marrë timonin e të parës së Mitrovicës Veriore, ka theksuar për klankosova.tv, që nën udhëheqjen e saj do të ndodhë edhe bashkimi i Mitrovicës.


”Me PDK në pushtet do të jete një Mitrovicë – cila do të jetë e gjithë qytetarëve pa dallim”.

Sipas saj, Mitrovica duhet të ndryshojë rrënjësisht me një Mitrovicë të integruar të zhvilluar ku nuk do të kishte diskriminim, por gjithë qytetarët t’i gëzojnë të drejtat e tyre.

”PDK është e vetmja parti që ka dy asamblistë në Kuvendin Komunal, këtë e kemi arritur falë punës dhe përkushtimit tonë që iu kemi përgjigjur kërkesave të qytetarëve, pasi PDK është e vetmja që ka kontribuar për banorët e kësaj pjesë ku sot e asaj ditë i gëzohen kontributit të PDK-së”.

Kandidatja e PDK-së, Gonxhe Çaushi duke qenë se ka nisur fushatën e saj zgjedhore për ta marrë drejtimin e Mitrovicës së Veriut, ka ftuar qytetarët e asaj ane të dalin në zgjedhjet e 19 majit, njofton Klan Kosova.

”Ftojë gjithe qytetarët pa dallim ta votojnë PDK-në e cila ka një program të qartë dhe teë arritshëm për gjithë qytetarët pa dallim vetëm me qellim të ngritjes së mirëbesimit ndëretnik dhe tolerancës në këtë pjesë të ndjeshme”.

Çaushi në votimet e së dielës për udhëheqjen e Mitrovicën e Veriut do të garojë kundër kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Erzen Atiq dhe atij të Listë Serbe, Goran Rakiq.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, muajin e shkuar shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave veriore.

Drejtuesit e këtyre katër komunave, Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zubin Potoku dhe Zveçan, patën dhënë dorëheqje nga postet e tyre më 27 nëntor të vitit të shkuar.

Dorëheqja e tyre ka ardhur si shkas, siç kanë thënë ata, i vendosjes së taksës prej 100 për qind për mallrat që importohen nga Serbia, nga qeveria e Kosovës.