Partitë politike në Kosovë, kanë përzgjedhur garuesit më të spikatur për të siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Një nga kandidatët më të përgatitur për këtë garë, padyshim është Prof. Dr. Avni Alidemaj, shkruan Ballkani.info.

Duhet të theksohet se bëhet fjalë për një emër që studimet e avancuara juridike (LL.M) i përfundoi në Universitetin e Ohio-s Veriore në SHBA duke u dekoruar me dy çmimet më të larta nga Universiteti i Ohio-s, ndër të cilat edhe çmimin “Student i dalluar”.

Sa i përket garës, Dr. Alidemaj garon në listën e koalicionit AAK-Forumi Intelektual E30 dhe Nisma (137), me numrin 61.

Më poshtë gjeni një biografi të shkurtër dhe përzgjedhur të Prof. Dr. Avni Alidemaj:

  • Avni H. Alidemaj është Profesor Doktor në programin e shkencave juridike dhe atyre politike në Kolegjin UBT. Studimet universitare dhe ato pasuniversitare i kreu në Prishtinë në fushën e shkencave juridike dhe administratë publike. Studimet e avancuara juridike (LL.M) i përfundoi në Universitetin e Ohio-s Veriore në SHBA duke u dekoruar me dy çmimet më të larta nga Universiteti i Ohio-s, ndër të cilat edhe çmimin “Student i dalluar”. Në po të njëjtin Universitet kreu edhe studimet e avancuara në pedagogji juridike. Studimet e ciklit të tretë të doktoraturës i ka përfunduar në Universitetin e Evropës Juglindore në Maqedoninë e Veriut, në Fakultetin e Shkencave Shoqërore Bashkëkohore – Programi Qeverisje dhe Administratë Publike dhe mori titullin Doktor i shkencave në Qeverisje dhe Administratë Publike. Avniu është njohës i 5 gjuhëve të huaja.
  • Ai ka punuar për një kohë të gjatë në organizata ndërkombëtare me ç’rast ka kryer misione nëpër vende të ndryshme të botës (Afganistan, Pakistan, Jordani dhe Gjeorgji). Për një kohë është angazhuar edhe në organizatat e shoqërisë civile në Kosovë duke u shquar për aktivitete të ndërlidhura me të drejtat e njeriut. Gjithashtu ka punuar në kolegje të ndryshme në Kosovë (Kolegjin AAB, IBCM dhe Universum) me ç’rast ka ligjëruar lëndë të administratës publike dhe shkencave juridike.
  • Ka publikuar shumë punime në revistat shkencore ndërkombëtare në fushën e të drejtës administrative dhe administratës publike duke e përqendruar interesin e tij kërkimor në këto lëmi. Deri sot ka botuar tre libra universitar të fushës juridiko-administrative.