Profil| Kush është Donjeta Sahatçiu, nënkryetarja e parë grua e Komunës së Prishtinës?

Donjeta Sahatçiu është emëruar sot nënkryetare e Komunës së Prishtinës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Emërimi i saj në këtë pozitë është bërë i ditur nga nënkryetari i kësaj partie, Uran Ismaili, në një konferencë për media. Por, kush është Donjeta Sahatçiu?

Donjeta Sahatçiu është nënkryetarja e parë grua e Prishtinës e emëruar nga PDK.

Sipas komunikatës së kësaj partie, Sahatçiu është një profesioniste e dëshmuar për shumë vjet në sferën e menaxhimit, teknologjisë, komunikimit strategjik dhe ngritjen e kapaciteteve.

Sahatçiu ka studiuar për menaxhim, ekonomi dhe politika publike në RIT Kosovo, ku edhe është përzgjedhur studente e gjeneratës (2012), dhe menaxhim e administrim biznesi (eMBA) në Sheffield University.

Në 10 vitet e fundit, Sahatçiu ka udhëhequr kompaninë “Rrota”, në rolin e drejtoreshës ekzekutive dhe si bashkëpronare.

Për shumë vjet me radhë, Sahatçiu ka qenë promotore e digjitalizimit, rritjes së cilësisë në arsim dhe qasjes së të rinjëve në tregun e punës. Ajo është mentoruese e ekipeve të reja start-up dhe bizneseve në rritje. Si konsulente e çertifikuar në transformimin digjital ka ndihmuar edhe në fuqizimin e grave në fushën e teknologjisë.

Sahatçiu gjithashtu është zgjedhur dhe ka shërbyer vullnetarisht në misionin e disa organizatave. Ajo ka qenë kryetare e Bordit në STIKK (Shoqata e Informacionit dhe Teknologjisë në Kosovë) në dy mandate; kryetare e Bordit në VentureUP (Qendra e Inovacionit në Universitetin e Prishtinës) në dy mandate; anëtare e Bordit në Universitetin Amerikan në Kosovë (RIT Kosovo) në dy mandate, si dhe anëtare e Bordit në Këshillin e Konsulentëve të Kosovës (BCC) në një mandat.