Presidenti amerikan, Donald Trump i ka dërguar letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit ku kërkon arritjen e marrëveshjes historike me Serbinë.

Letra është interpretuar në forma të ndryshme, por ndër komentimet më të bazuara ka qenë edhe ai që gjeopolitika amerikane po rikthehet në Ballkan, pas një periudhe kur indiferenca amerikane karshi Ballkanit kishte fuqizuar rolin e Brukselit në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq deklaroi se po tentohet të arrihet një marrëveshje sikur ajo në mes Egjiptit dhe Izraelit e realizuar në vitin 1978 pas disa luftërave agresive për motive territorial që lidhen me ideale fetare, raporton Ballkani.info.

Profesori dhe Drejtori i Institutit për Hulumtime Strategjike Ballkanike, Dr Muhamed Kajolli në një prononcim për Ballkani.info ka sqaruar tendencën e Serbisë për krahasimin e marrëveshjes së mundshme Kosovë-Serbi me marrëveshjen Egjipt Izrael.

“Sikurse Kosova ashtu edhe Serbia duan më të mirën e vendit të tyre. Nëse të parëve po u prin e bukura, të dytët po mundohen ta gjejnë të bukurën e “humbur”. Kjo nuk do të thotë që kosovarët duhet të bëjnë sehir e të mos përpiqen ta ndihmojnë këtë mirësi. Nuk ka dyshim se serbët politikisht janë shumë më të avancuar se shqiptarët, ata kanë përvojë të gjatë dhe pa dyshim kjo ka ndikuar që të qëndrojnë në arenën politike, mbase edhe si rezultat i mos përmbylljes së politikave gjeostrategjike të cilat filluan në 1991 në Lindje të Mesme dhe ish Jugosllavi. Për dallim nga ne, ata janë në gjendje t’i dallojnë larg llojet e aromave që vijnë drejt Ballkanit, dhe për këtë arsye ata do të bëjnë çmos që t’i tërheqin ato që ju konvenojnë dhe t’i pengojnë të padëshiruarat. Ata kanë përdorur, po përdorin dhe do të përdorin të gjitha mjetet e mundshme politike dhe intrigat e lejuara për ta mbajtur Kosovën nën administrimin e tyre edhe pse e dinë se Kosova u ka ikur që në vitin 1999-të. Rezoluta 1244 është e vdekur, por ata vazhdojnë ta përdorin. Ata e dinë se Kosova në përbërjen e saj historike kishte territor shumë më të madh se sa e ka tani, mirëpo, nuk hezitojnë të kërkojnë territore brenda saj”, tha Kajolli.

Më tutje ai tregoi për tendencën e Serbisë për të të qenë në pozitën e Egjiptit.

“Këmbëngulja e mos ndryshimit të kufijve nga pala kosovare, bëri që diplomacia serbe të del me idenë e marrëveshjes sikur ajo e Kamp Davidit të vitit 1978 midis Egjipitit dhe Izraelit. Përderisa e kanë theksuar këtë marrëveshje, atëherë ata kanë nuhatur diçka që është e pa njohur për ne. Lufta e vitit 1973 midis Egjiptit dhe Izraelit nxori fitues moral Egjiptin. Për këtë arsye Izraeli pranoi të tërhiqet hë për hë nga territoret e uzurpuara gjatë luftës së vitit 1967 me kushtet të cilat i pranoi diplomacia egjiptiane. Në vitin 1973 Egjipti dhe Siria i shpallën luftë Izraelit, me qëllim të rikthimit të tokave të uzurpuara nga Izraeli në luftërat e vitit 1967, 1956 dhe në vitin 1948-të. Gjatë këtyre luftërave izraelitët kishin zgjeruar territorin e tyre duke aneksuar 90 % të territorit të Palestinës, kishin uzurpuar Golanin në Siri dhe Sinain në Egjipt. Marrëveshja e Kamp Davidit erdhi si rezultat i presionit të madh që iu bë Egjiptit e jo Izraelit. Kur arabët mësuan për marrëveshjen, Enver Sadatin e quajtën tradhtar, dhe e dëbuan nga Liga Arabe në të cilën ai ishte lider i saj. Politikanët arabë shumë vonë e kuptuan peshën e kësaj marrëveshje, dhe vonë mësuan se zgjidhja e këtij konflikti në tavolinë ishte shumë më e mirë se sa të luftohej. Nëse Daçiqi ka hedhur idenë e një marrëveshje sikur kjo e Kamp Davidit, ne nuk do të duhej ta refuzonim për disa arsye, mirëpo, diplomatët tanë para se të pranojë të hynin në këtë godinë do të duhej ta dinë se aty nuk dilet pa marrëveshje. Kam përshtypjen se Serbia po luan rolin e viktimës dhe ka nuhatur se do të vendoset në pozitën e Egjiptit, ndërsa Kosova si uzurpatore. Nëse ata arrijnë t’i bindin ndërmjetësuesit se janë në pozitën e Egjiptit, pretendimet e tyre janë rikthimi i ‘territorit të tyre’ të humbur (Kosovën) e vitit 1999-të. Marrëveshja e Kamp Davidit përfshinte nëntë pika të cilat do të zbatoheshin derisa të rikthehej territori i uzurpuar pas një periudhe dhjetë vjeçare, përfshi këtu edhe rikthimin e Golanit dhe fituan autonomi për palestinezët në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor. Nëse Kosova dëshiron ta zgjidhë problemin me Serbinë, tani është koha më e volitshme, sepse tani diplomacia ndërkombëtare është e gatshme tëdëgjojë dhe të veprojë për zgjidhjen e këtij ngërçi politik”, theksoi ai.

Sipas Kajollit nëse nuk arrihet zgjidhja tani, nuk i dihet se kur të vjen rradha e arritjes së marrëveshjes.

“Nëse tani nuk do të arrijmë zgjidhjen, një Zot e di se kur do të na vjen radha. Pala kosovare do të duhej të hyjë në godinën e Kamp Davidit si viktimë që i është bërë gjenocid nga sllavo-grekët që në vitin 1878-të, për ta fituar pozitën e Egjiptit. Nëse diplomacia kosovare nuk arrin të kapë pozitën e Egjiptit, atëherë Serbët do t’ia puthin dorën ‘sulltanit’, dhe shqiptarët do të ngelin të anatemuar. Diplomacia e atëhershme ndërkombëtare vepronte mbi sistemin bipolar, ndërsa tani sistemi njëpolar në mënyrë rapide është duke ra dhe pozita jonë është dobësuar. Kam përshtypjen se Kosova është në rrugë të drejtë, dhe nëse pala ndërmjetësuese do që ta shfrytëzojë Kosovën për t’ia treguar vendin Serbisë, atëherë le të shkohet në këtë godinë, mirëpo, shqetësimi im qëndron në faktin se pala kërkuese e kësaj marrëveshje vjen pikërisht nga serbët të cilët kanë nuhatur aroma të cilat ne nuk e kemi fare idenë e tyre. Autori është drejtor i Institutit për Hulumtime Strategjike Ballkanike”, përfundoi Muhamed Kajolli.

Presidenti i Egjiptit, Anwar Sedat dhe kryeministri i Izraelit, Menachem Beqin kishin fituar më pas çmimin Nobel për paqe. /Ballkani.info/