Profesori që e zbuloi insektin në Bjeshkët e Nemuna, tregon pse vendosi ta quajë “Coronavirus”

Profesori Halil Ibrahimi kaloi pesë vite studime për të arritur ta kompletonte hulumtimin për insektin të cilin e ka quajtur “Potamophylax coronavirus”, për të cilin më parë nuk ishte ditur se ekzistonte në Kosovë.

Momenti kur gruaja e ambasadorit godet me shuplakë shitësen që e akuzoi për vjedhje rrobash.

Ibrahimi gjatë një interviste për Telegrafin, ka folur në lidhje me zbulimin e këtij insekti dhe ka sqaruar arsyen pse ka vendosur ta quajë “Coronavirus”.

Insekti që për herë të parë u zbulua në vitin 2016, siç tha Ibrahimi është shumë i rëndësishëm për ciklin e ushqimit në ujëra.

“Gjatë një ekspedite në terren në vitin 2016 e kemi gjetur për herë të parë, pastaj hulumtimet kanë vazhduar edhe disa vjet tjera, është finalizuar gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit dhe është publikuar”, tha ai.

Sipas tij, insekti në fjalë për të cilin kanë shkruar edhe media botërore është mjaft i dobishëm për ujërat.

“I takon një grupi të insekteve që jetojnë pjesën më të madhe të tyre në ujë. Insekti i takon grupit që janë endemike, janë të përhapura në zona të ngushta, secili vend në Ballkan i ka llojet e veta”, tha ai.

“Është insekt i dobishëm, paqësor, e ka një rol shumë të rëndësishëm në ciklin e ushqimit në ujëra. E ka edhe njëfarë roli që edhe na tregon se cili është kualiteti i ujërave, kështu që duke i përcjellë këto insekte ne e dimë se çka po ndodhë në ujëra”, shpjegon Ibrahimi.

Ai tha se ky zbulim ka qenë një reklamë shumë e mirë për Kosovën, pasi nëpër mediet botërore është shkruar gjatë kësaj kohe për diçka shumë pozitive, e që është zbulimi i “Potamophylax coronavirus”, i cili ka nxitur interesimin e studiuesve botëror.

Ibrahimi tha se ka shumë nevojë që të shumëfishohet ndihma institucionale në mënyrë që në vazhdimësi të ketë zbulime edhe të tjera.