Profesori i njohur

Profesori Krasniqi thotë se VV është parti e vetmuar: Mocioni i padobishëm dhe dëshpërues

Inicimi i mocionit për rrëzimin e qeverisë Hoti, nga ana e Vetëvendosjes, po konsiderohet iniciativë e padobishme dhe e dëshpëruar. Kështu e ka vlerësuar profesori universitar Milazim Krasniqi.

Krasniqi në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se iniciativa të tilla si kjo e VV-së nuk mund të bëhen pa analiza të mirëfillta dhe pa e pasur një epilog.

Ai thotë së Vetëvendosje këtë po e bënë për të tërhequr vëmendje, mirëpo sipas tij, kjo nuk mund të sigurojë rezultat pozitiv sepse VV-ja është parti e vetmuar.

“Iniciativat e tilla nuk duhet të bëhen pa analiza të mirëfillta dhe pa e pasur të siguruar një epilog pozitiv, por kjo që bënë Vetëvendosja është diçka që sapo për të bërë zhurmë sapo për të tërhequr vëmendjen, për të mbajtur pak idenë se janë aktiv, por rezultati final është i tillë që nuk siguron rezultat pozitiv sepse Vetëvendosja është parti shumë e vetmuar”.

“Në këtë fazë se Vetëvendosja para se të merret me këso iniciativash të dëshpëruara dhe të padobishme, do të duhej të bënte një reflektim të përgjithshëm dhe të bënte një ndryshim të perceptimit për te partitë e tjera, dhe kur të krijon një partneritet pozitiv me to edhe mund të fillojë iniciativa, por ata e kanë bërë pa marrëveshje paraprake dhe është thjeshtë marketing dhe kjo nuk siguron asnjë lloj rezultati”.

E për aludimet se a do të bëhet PDK-ja pjesë e koalicionit qeverisës, ai u shpreh se tani për tani kjo parti nuk ka plane të asaj natyre.

Mes tjerash ai ka thënë se gjithçka do të varet nga PDK-ja dhe zhvillimet në vend. Por, sipas Krasniqit koalicioni aktual qeverisës është i brishtë dhe se gjasat janë që ky koalicion të mosvazhdojë gjatë.

“Tash për tash ajo çka është zyrtare dhe që e kam dëgjuar si gjithë qytetarët e tjerë, është që PDK-ja nuk ka plane të asaj natyre, se çfarë do të bëhet në të ardhmen nuk e dinë as ata e as njëri sepse të fshehtën ne nuk e dimë, por ajo që ne tashmë dimë është që koalicioni aktual qeverisës është vërtet shumë i brishtë, është me vështirësi në funksionim dhe jam i bindur se në qoftë se nuk do të ketë një infuzion në një formë të re të rikompozimit gjasat nuk i ka shumë të mira që të vazhdojnë shumë gjatë për shkak se ka një grumbullim të problemeve”.

Madje, ai thekson se nëse vazhdon presioni, Hoti do të duhet ta zgjerojë koalicionin qeverisës, raporton EO.

“Vetëm shikojeni ligjin për UÇK-në, Lista Serbe ka kërcënuar se nëse ky ligj miratohet lista Serbe do të dalë nga koalicioni, dhe në atë rast qeveria do të binte, pra a do të hyjë a jo PDK-ja varet shumë edhe nga qëndrimi i saj dhe nga zhvillimet në vend nëse vazhdon ky presion i shumë paanshëm ndaj Hotit edhe nga Lista Serbe edhe nga partnerët e koalicionit madje edhe nga partia e vetë atij do ti duhet ta zgjerojë koalicionin përndryshe nuk do ti mund t’i mbijetojë”.