Profesori universitar i diplomacisë Ibrahim Gashi ka komentuardeklaratat e ministrit të Brendshëm të Serbisë Aleksandër Vulin kundër masakrës së Reçakut, duke i quajtur ato “çmenduri politike”, jo vetëm të një zyrtari por në përgjithësi të një shteti kriminal i cili, sipas tij nuk po arrin të lirohet nga fryma ultranacionaliste e periudhës së Millosheviqit.
Sipas profesorit Gashideklarata e Vulinit është “në frymën e deklaratave ultranacionaliste serbe që mohon gjithçka që është shqiptare, e nuk është se s’jemi mësuar të dëgjojmë deklarata të tilla, por është kulmi që të mohohet një masakër, e cila është e njohur botërisht dhe është e argumentuar mirë dhe të dilet pa pikë turpi e të thuhet se është trillim i shqiptarëve, por në bashkëpunim edhe me faktorin ndërkombëtar, për të arsyetuar bombardimet e NATO-s, kjo është, një lloj çmendurie politike e një zyrtari të lartë, e cila shpreh edhe çmendurinë politike të një shteti kriminal i cili s’po arrin të lirohet nga fryma ultranacionaliste, shoveniste e kriminale e periudhës së Millosheviqit.”
Sa u përket reagimeve të ndërkombëtarëve për deklaratat fyes dhe mohuese ndaj masakrës së Reçakut,Gashi vlerëson se ato janë të pritshme, por duhet të jenë më të shpeshta.Sipas tij ato “kanë qenë normale, p.sh ndërhyrja e Departamentit të shtetit se masakra e Reçakut është e mirë argumentuar dhe po ashtu ndërhyrja e BE-së se mizoritë që kanë ndodhur në Reçak janë të njohura, janë reagim i duhur, që ndoshta duhet të përsëritet më shpesh për arsye se serbët kanë reaguar edhe pas kësaj deklarate që kanë dhënë këto dy qendra të rëndësishme të politikës botërore, të cilat kanë qenë edhe vetë të involvuara gjatë luftës në Kosovë, vetë e kanë identifikuar dhe shpallur masakrën e Reçakut.”
Mirëpo ai ka deklaruar se reagimi do të duhej të ishte më insistues sepse “Vulin përsëri u është përgjigjur reagimeve që kanë ardhur edhe nga Uashingtoni edhe nga Brukseli, duke thënë se ata po tmerrohen nga “guximi i serbëve për ta thënë të vërtetën”, që përsëri është një deklaratë jashtëzakonisht e rrezikshme në radhë të parë për marrëdhëniet dhe koegzistencën paqësore në rajon, është luftënxitëse dhe provokuese për të gjitha familjet e viktimave të masakrave që kanë ndodhur në Kosovë gjatë viteve ’98 e ’99 nga autoritet serbe.”
Ndërsa publikimin e librave dhe materialeve të ndryshme propagandistikë që bëhen në Serbi, me qëllim të shtrembërimit të historisë së fundit të luftës në Kosovë, profesori Gashi e sheh si të rrezikshme, sepse “ajo lë gjurmë te gjeneratat e reja dhe prandaj duhet luftuar fuqishëm nga institucionet e Kosovës, duke inkurajuar dhe investuar edhe financiarisht në përkrahjen e projekteve dhe shkencëtarëve nga fusha të ndryshme të cilët do të faktonin të vërtetat e periudhës së luftës dhe pasluftës, siç janë dokumentuar ato të masakrës së Reçakut nga ambasadori i atëhershëm WilliamWalker.”







