Profesori i Universitetit të Prishtinës dhe njohësi i politikës ndërkombëtare, Arben Hajrullahu, ka reaguar në Twitter pas shfaqjes së djeshme të armatimit të kapur nga terroristët serbë në Banjskë të Zveçanit.
Në fotografinë e publikuar ku shihen armët e rënda dhe sasia e tyre, Hajrullahu ka shkruar: “Ky është vetëm një tjetër sulm terrorist i sponsorizuar nga shteti serb”.
Çka u gjet te terroristët serbë?
Raketahedhës, granatahedhës, pushkë të shumta automatike, pushkë snajper, automjete ushtarake, eksplozivë, detonatorë…
Të gjitha këto janë pjesë e arsenalit të madh të armëve dhe municioneve që u gjetën në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, ku pas një sulmi mbi pjesëtarët e Policisë së Kosovës kishte edhe një përleshje të armatosur.
Natën mes së shtunës dhe së dielës, një grup i maskuar dhe i armatosur ngriti fillimisht një barrikadë në hyrje të fshatit Banjskë dhe më pas sulmoi Policinë e Kosovës.
Nga sulmi mbeti i vrarë rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, ndërsa disa të tjerë u plagosën.
Siç rezultoi nga hetimet, disa sulmues më pas u larguan nga territori i Kosovës, ndërsa disa u strehuan në manastirin e Banjskës, nga ku u përleshën me policinë kosovare.
Në këtë konflikt u vranë tre sulmues, pjesëtarë të nacionalitetit serb.
A ka pasur plan për përfshirjen e qindra personave në këtë sulm të armatosur, cilët janë organizatorët e vërtetë, si përfundoi sasia e madhe e armëve që përdoren në luftë në duart e sulmuesve – janë vetëm disa nga pyetjet në të cilat publiku pret përgjigje.
Policia e Kosovës, ndërkohë, ekspozoi një arsenal të madh armësh, që, siç tha, u konfiskuan pas ngjarjeve në Banjskë. /Ballkani.info/
THIS IS JUST ANOTHER SERBIAN STATE SPONSORED TERRORIST ATTACK AGAINST 🇽🇰.#SerbianStateSponsoredTerrorism pic.twitter.com/g3KnieJTiU
— Arben Hajrullahu, 🇽🇰 stands with 🇺🇦 (@ArbenHajrullahu) September 26, 2023







