Profesori amerikan: Osmani dhe Kurti duhet ta vizitojnë Ukrainën për ta kërkuar njohjen

Profesori amerikan, Edward P. Joseph, ka sugjeruar kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani që ta vizitojnë Ukrainën për ta kërkuar njohjen nga ky shtet.

Në një opinion të postuar në llogarinë e tij në “Twitter”, ai ka shkruar se Kurti dhe Osmani këtë vizitë duhet ta realizojnë pas takimit të së hënës, i cili do të mbahet në Bruksel.

“Kurti dhe Vuçiq do të shkojnë në Bruksel më 27.02 për një takim të madh për propozimin e SHBA-BE. Ndalesa e radhës për Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin duhet të jetë në Kyiv për të diskutuar për njohjen e Kosovës nga Ukraina me Zelenskyn për t’i dhënë një goditje Putinit”, ka shkruar Joseph.

Ai ka bërë me dije se njohja e Kosovë nga Ukraina do të kishte disa efekte interesante.

Sipas tij, kjo njohje do të mund të ndikonte edhe në njohjen nga vendet e BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.

“Së pari, si vendi që, siç ka thënë Presidenti Biden, është ‘në vijën e parë të frontit duke luftuar për të shpëtuar parimet thelbësore demokratike që bashkojnë të gjithë njerëzit e lirë’, Ukraina ka autoritet të madh moral. Duke njohur Kosovën, Ukraina do ta zhvendoste çështjen e Kosovës nga një çështje lokale e Ballkanit në një çështje të rangut të parë të sigurisë evropiane. Njohja ukrainase e Kosovës do të shkatërrojë menjëherë status quo-në për ata që nuk e njohin. Në vend të zgjedhjes mes Presidentit Vuçiq dhe Kryeministrit Kurti, ato qeveri do të pyeteshin nëse qëndrojnë me Zelenskyn për Kosovën, apo me Putinin”, ka shkruar Joeseph.