Ambasadori gjerman

Procesi i votimit, Rohde shkon në Zubin Potok

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka vizituar qendrën e votimit në objektin e Zubin Potokut, ku po votohet “pro” apo “kundër” shkarkimit të kryetarit Izmir Zeqiri.

Në këtë komunë të drejtë vote kanë mbi 6 mijë qytetarë. Deri në orën 11:00 këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar vetëm shtatë qytetarë.

Diplomati gjerman nuk ka preferuar të deklarohet për media gjatë kësaj vizite. 

Qytetarët në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan – të dielën e 21 prillit votojnë për ose kundër shkarkimit të kryetarëve shqiptarë.

Votimet që kanë nisur nga ora 7 e mëngjesit po zhvillohen teksa Lista Serbe ka bërë thirrje për bojkotimin e procesit.

Nga katër komunat është raportuar dalje shumë e ulët e qytetarëve në votim. Në disa vendvotime nuk ka pasur fare interesim.

Për t’i shkarkuar kryetarët, duhet votuar 50 për qind plus një votues që procesi të rezultojë i suksesshëm dhe të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme.