Procesi i rinumërimit mund të zgjasë deri javën e ardhshme

Rinumërimi i 1407 vendvotimeve është duke vazhduar edhe sot në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Vetëm gjatë ditës së djeshme në QNR janë rinumëruar 132 vendvotime, ka bërë të ditur, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

 “Në ditën e gjashtë, të hënën, janë rinumëruar 132 vendvotime. Sipas të dhënave të deritashme janë rinumëruar 706 vendvotime nga 1407 sa janë gjithsej. Kjo shifër përbën 50% të vendvotimeve të rinumëruara deri më tani. Kanë mbetur për tu rinumëruar edhe 701 vendvotime të tjera”, ka thënë Elezi.

I pyetur se kur pritet të përfundojë ky proces, Elezi ka theksuar se nuk mund ta dinë sakt se kur përfundon rinumërimi.

“Ne nuk mund ta themi me saktësi se kur përfundon procesi i rinumërimit të pjesës së mbetur të vendvotimeve, sepse kjo varet krejtësisht nga dinamika e punës në QNR, por edhe se sa ka qenë pjesëmarrja e votuesve në këto vendvotime. Nëse shohim dinamikën e rinumërimit gatë këtyre 5-6 ditëve, e cila është rreth 130 vendvotime brenda dy ndërrimeve, atëherë besojmë se deri të hënën tjetër mund të përmbyllim ky rinumërim”, ka thënë Elezi.

Kujtojmë se rinumërimi i këtyre vendvotimeve po bëhet pas vendimit të marrë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Ndërkaq tashmë kanë kaluar më shumë se një muaj që nga mbjatja e zgjedhjeve më 6 tetor në Kosovë.

loading...