Prizrenasit nga qeverisja e ardhshme presin ndryshime dhe perspektivë

Në qendrën e votimit “11 Marsi” në qytetin e Prizrenit procesi i votimit është duke shkuar mirë, ndërsa gjatë ditës është raportuar për disa parregullsi.

Menaxheri i qendrës së votimit “11 Marsi”, Enver Bytyqi për KosovaPress ka treguar se deri në orën 11 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 4.48 për qind e prizrenasve.Bytyqi tha se në këtë qendër të votimit nuk është shënuar asnjë parregullsi deri në këto momente.

“Deri më tani procesi i votimit është duke shkuar sipas rregullave të parapara nga KQZ-ja…. Absolutisht deri më tani nuk ka pasur asnjë ekses edhe më të vogël apo ndonjë problem…Nëse e llogarisim deri në orën 11:00 që numri i qytetarëve ka qenë 1245 qytetarë që kanë votuar ose 4.48 për qind në 33 vendvotime, zakonisht kjo ka ndodhur edhe herëve të tjera sepse ka qenë periudhë e hershme e mëngjesi. Mendoj se pritet fluks i madh pas gjysmë ditës pasi është edhe vikend”, tha Bytyqi.

Në anën tjetër qytetarët e Prizrenit janë shprehur optimist dhe presin ndryshim nga këto zgjedhje.

Një prizrenas ditën e sotme e ka konsideruar si ditë të çlirimit për Kosovën ka thënë se nga këto zgjedhje presin perspektivë më të mirë për qytetarët e Kosovës.

“Presim perspektivë më të mirë për qytetarët për Kosovën, korrupsioni të largohet krejt defintivisht t’i kthehen punës, t’i kthehemi të mbarës dhe kështu që të ecim përpara mos të mbesim në mes të Evropës i një kontinenti të zhvilluar jemi më prapa jemi të fundit që e kemi shpresë, rinia po na ikin, kjo është një fatkeqësi për ata që logjikojnë..Besoj që po nëse fitojnë ata më të mirë, besoj që është dita e çlirimit për më të mirët për t’u pastruar nga njerëzit që e kanë keqpërdorur pasurinë e Kosovës”, tha ky qytetar.

Edhe një qytetar tjetër ka thënë se pret ndryshim dhe perspektivë pas zgjedhjeve të 6 tetorit.“Prej këtyre zgjedhjeve presim pak ndryshim për ne..të kemi perspektiv”, tha ai.

Ndërsa, ka edhe qytetarë tjerë të cilët nuk besoj se këto zgjedhje të parakohshme parlamente do sjellin ndryshim të madh pasi sipas tyre kjo varet nga zhvillimi ekonomik.

“Diçka më të mirë me na ndodh…Nuk besoj nuk ka me qenë ndryshim, pasi që ndryshimi varet prej zhvillimit ekonomik nuk besoj vetëm erdha me krye detyrën e qytetarit” , u shpreh ky prizrenas.

Ndryshe, sot qytetarët e Kosovës duke e shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës dhe udhëheqësin e Qeverisë.

loading…