Gjykata

Prizren, dënohet grabitësi që vodhi te çifti i moshuar

Grabitësi me inicialet Z.B. ka pranuar fajësinë për veprën penale të vjedhjes së rëndë, andaj Gjykata Themelore Prizren i ka shqiptuar dënimin me 1 vit burg dhe gjobë në shumën prej 500 euro.

Ai akuzohej se më 22 korrik të këtij viti në Prizren, së bashku me të pandehurin tjetër me iniciale A.B., e kanë shfrytëzuar paaftësinë dhe gjendjen e rëndë të personave që gjendeshin në shtëpi, për të vjedhur.

Në shtëpi, në momentin e vjedhjes gjendeshin vetëm gruaja e moshuar dhe burri i palëvizshëm.

“Grabitësit me të kuptuar që çifti i moshuar gjendej në shtëpi menjëherë janë larguar nga shtëpia”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prizren.

Grabitësi tashmë i dënuar me iniciale Z.B. ka qenë në masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 muajsh, dhe e ka pranuar fajësinë për veprën penale të kryer.

Gjithashtu në komunikatën e Gjykatës thuhet se gjykata edhe i ka konfiskuar gjësendet e vjedhura me rastin e grabitjes.