Pritje e ngrohtë për Osmanin në Gjermani: Miqësia mes dy shteteve tona është e përhershme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në vizitën e saj të parë zyrtare në Berlin.

Osmani  është pritur nga presidenti Steinmeier me një ceremoni dinjitoze.

“Faleminderit President Steinmeier për mikpritjen e ngrohtë. Miqësia mes dy shteteve tona është e përhershme”.

Presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, e njeh mirë Kosovën dhe rajonin, pasi ka qenë një nga lobuesit e palodhshëm për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe njohjen e saj, pas shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt 2008.

Steinmeier atëherë ishte ministër i Jashtëm në qeverinë Merkel i dhe ka qenë i pranishëm edhe në varrimin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në fillim të vitit 2006.

Para se të fillonte detyrën si ministër i Jashtëm, ai ka qenë shef i kabinetit të ish-kancelarit gjerman, Gerhard Schröder.

Osmani gjatë vizitës së saj në Gjermani do të takohet edhe me ministrin e Jashtëm, Heiko Maas dhe përfaqësues nga diaspora, ekonomia dhe shkenca.