Pritet vetëm modifikim i UNMIK-ut në Këshillin e Sigurimit

Në muajin nëntor Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka planifikuar të mbajë një konferencë për situatën në Kosovë.Në konferencën e Këshillit të Sigurimit për situatën në Kosovë, i dërguari special dhe shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin do të raportojë për zhvillimet aktuale dhe raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm. Serbia do të marrë pjesë në takim me përfaqësues të nivelit të lartë, ndërkohë që Kosova do të prezantohet nga ambasadorja në SHBA, Vlora Çitaku, shkruan Security Council Report.

Këshilli i Sigurimit ka vendosur si praktikë mbajtjen e takimeve informuese një here në tre muaj, megjithëse rezoluta 1244 nuk e ka përcaktuar si duhet bërë raportimi i Sekretarit të Përgjithshëm.

Gjatë presidencës së Këshillit të Sigurimit në muajin gusht, Mbretëria e Bashkuar vendosi të mos mbahet takimi për Kosovën. Ambasadorja Karen Pierce, tha se Kosova nuk ka kërkuar takime të tilla dhe se Këshilli i Sigurimit duhet të fokusohet në çështje të tjera të sigurisë ndërkombëtare, që kërkojnë detyrime më të mëdha.

Haley: Rishikim strategjik të misionit

Në letrën e saj dërguar më 9 tetor Sekretarit të Përgjithshëm, ambasadorja e SHBA, Nikki Haley i kërkoi Sekretariatit të inicojë një rishikim strategjik të misionit dhe të zhvillojë një strategji për t’ i dhënë fund UNMIK-ut. Një nga temat kryesore, me të cilën Këshilli i Sigurimit përballet në Kosovë është ruajtja e stabilitetit dhe ulja e tensionit midis Prishtinës dhe Beogradit. Një çështje tjetër është roli që mund të luajë UNMIK për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese midis Beogradit dhe Prishtinës.

Këshilli do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet për një marrëveshje të mundshme midis Prishtinës dhe Beogradit, përfshirë edhe mundësinë për rregullime territoriale. Një nga çështjet e Këshillit, është nëse kjo mund të ketë efekt destabilizues në vendet fqinje duke nxitur tensionet etnike në rajon, shkruan Security Council Report.

Disa vende anëtare të Këshillit të Sigurimit, sidomos SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë theksuar mungesën e nevojës për ciklin e raportimeve aktuale dhe kanë bërë thirrje për zvogëlimin e misionit për shkak të stabilitetit relativ në bazë. Ka rritje të numrit të vendeve që ndajnë këto pikëpamje, prandaj Këshilli mund të marrë parasysh propozime për ndryshimin e ciklit të raportimeve, përfshirë ndryshimin e formatit të takimeve për konsultime. Sa i përket efektivitetit të misionit, Këshilli mund t’ i kërkojë Sekretarit të Përgjithshëm të kryesojë një rishikim strategjik, për të parë mënyrat e rritjes së efektivitetit të UNMIK-ut.