Prishtinasit e konsiderojnë ‘luks’ ndriçimin publik, Komuna thotë se nuk është faji i tyre

Tash e disa muaj në lagjet e kryeqytetit mungon ndriçimi publik.

Kjo ka bërë që të ketë shumë ankesa nga qytetarët, të cilët këtë mungesë po e shohin si një problem shumë të madh.

Madje në grupe të ndryshme në rrjetin social Facebook, qytetarët janë shprehur se nuk e dinë as arsyen se përse po ndodhë kjo, pasi që sipas tyre Komuna nuk po u përgjigjet kërkasave të tyre.

Të njëjtët kanë deklaruar se janë detyruar që në lagje të caktuara t’i rregullojnë vetë dritat në hapësirat publike.

“Ne qofte se nuk gaboj asnje lagje nuk ka drita.Ne Velani jemi organizuar i kemi rregullu vet.”, ka shkruar qytetari A.G në grupin Network Prishtina në Facebook.

Ndërsa prishtinasi A.A deklaron se në rrugën ‘Enver Maloku’ në kryeqytet, përkatësisht tek shkolla fillore “Ismail Qemali” mungon ndriçimi më shumë se 6 muaj.

E mungesën e ndriçimit në lagjet e kryeqytetit, po e mohojnë nga Komuna e Prishtinës.

Nga Drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, kanë thënë për “Reporteri” se nuk ka lagje të tëra ku mungon ndriçimi, por vetëm rrugë në lagje të ndryshme të qytetit.

Sipas tyre, defektet janë të natyrës teknike dhe këto mënjanjohen në kuadër të projektit të mirëmbajtjes së ndriçimit publik.

Por tenderi i shpallur në vitin 2020 është anuluar pas një shkelje që është bërë në procedurë të prokurimit.

“Pas anulimit, është rishpallur dhe kanë vazhduar procedurat përsëri. Rrjedhimisht, kemi mbetur pa kontratë deri më tani. Tani projekti është në fazë të ankesave në OSHP dhe kjo varet krejt nga procesi dhe vendimet e këtij organi që ne nuk kemi ndikim në përshpejtim të procesit.”, thuhet në përgjigjen e DSHPMSH-së.

Po ashtu, në përgjigje thuhet se Komuna ka zhvilluar procedurë për kontratë emergjente, të cilën presin që ta nënshkruajnë brenda një kohe të shkurtër dhe bashkë me të do kthehet normaliteti i ndriçimit publik.

“Për shkak të këtyre vonesave komuna ka zhvilluar procedurë për kontratë emergjente, të cilën presim t’a kemi të nëshkruar brenda një kohe të shkurtër dhe me këtë do të kthejmë normalitetin me ndriqimin publik. Kjo nuk ka ndodhur për shkak të papërgjegjësisë së komunës, por për shkak të procedurave që ne nuk kemi ndikim as kompetenca ligjore për t’i ndryshuar ato, prandaj ne jemi të obliguar të respektojmë vendimet e organeve kompetente për procedurat e prokurimit publik.”, kanë thënë nga DSHPMSH.