Samir Shahini është emëruar si Drejtori i ri i Arsimit në Komunën e Prishtinës.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka thënë se me një përvojë të gjatë dhe të pasur në fushën e menaxhimit arsimor dhe politikave edukative, Shahini pritet të sjellë një qasje të re dhe vizionare për përmirësimin e cilësisë së arsimit në kryeqytet.
Tutje, Rama ka thënë se Shahini ka mbi një dekadë përvojë në zhvillimin dhe implementimin e politikave edukative, me fokus të veçantë në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe mbështetjen e reformave të rëndësishme në arsim.
“Për vite me radhë, ai ka kontribuar në projekte edukative dhe sociale, duke punuar ngushtë me organizata vendore dhe ndërkombëtare. Angazhimi i tij në analizën e politikave arsimore, ndërtimin e strategjive për zhvillim dhe trajnimet e specializuara për arsimtarët e bëjnë atë një profesionist të përgatitur për sfidat që e presin”.
Mirëpo, ajo që është e çuditshme ka të bëjë me faktin se Samir Shahini deri në vitin 2022 ka qenë drejtor i Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, shkruan Ballkani.info.
Në tetor të vitit 2022, Shahini përmes një postimi në Facebook kishte njoftuar për dorëheqje nga kjo pozitë.
“Kam dorëzuar dorëheqjen time nga posti i Drejtorit Komunal për Arsim në komunën e Fushë Kosovës”, kishte shkruar Shahini.
Shahini kishte përmendur shkurtë se po largohet nga kjo pozitë për arsye personale, por siç e ka shkruar ai edhe “pak profesionale”.
“Arsyet e largimit tim janë kryesisht personale, dhe sigurisht pak edhe profesionale. Për këto të fundit, është informuar me kohë kryetari i komunës”, kishte shkruar ai.
Ky njoftim i Shahinit tashmë është fshirë nga llogaria e tij në Facebook. /Ballkani.info/







