Prishtina dhe disa vende tjera të Kosovës, sot pasdite janë përfshirë nga një stuhi shiu.
Derisa jemi më 2 qershor, temperaturat dhe moti përgjithësisht vazhdojnë t’i ngjajnë një pranvere të hershme.
Kjo u tregu edhe sot, kur “papritmas” një shi i madh dhe me erë përfshiu Prishtinës, shkruan Ballkani.info.
Edhe në vende tjera ka pasur stuhi të tillë. Në Klinë, pas reshejeve të mëdha, aktualisht një pjesë e madhe është pa energji elektrike.
Ballkani.info ka kontaktuar me profesorin, njëherish eksperit e meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj.
Ai ka thënë se vendi ynë do të vazhdojë të ketë ndikim nga masat atmosferikë të pjesës veriore dhe verilindore të rajonit.
“Masat verilindore sjellin më shumë lagështi dhe janë masa më të ftohta. Sa herë që vijnë nga ajo pjesë e globit, shkaktojnë ndryshimet të kushteve të motit, reshje dhe ulje të temperaturave”, ka thënë Tahirsylaj.
Tutje, ai ka thënë se në ditët në vijim do të ketë mot më të ftohtë se në ditët e kaluara, ku temperaturat minimale do të sillen prej 10-12 gradë celcius, kurse ato më të lartat nga 22-25 gradë celcius nga fundi i javës.
“Kjo javë, deri më datën 7 Qershor nuk do të ketë mot stabil, pra do të ketë reshje, shkarkime atmosferike dhe në disa vende mund të ketë edhe breshër”, ka thënë Tahirsylaj. /Ballkani.info/







