Prishtina, një prej kryeqyteteve shembuj për transparencë

Instituti Demokratik i Kosovës ka shpalosur të gjeturat e hulumtimit mbi transparencën e kryeqyteteve evropiane, ku ka dalur që Prishtina është një prej kryeqyteteve shembuj për transparencë. Hulumtimi tregon se kryeqytetet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u ofrojnë qytetarëve më shumë qasje në informacion, por që vendet e Evropës Lindore e Juglindore, u japin më shumë rëndësi transparencës, sesa vendet me demokraci të konsoliduar. Në KDI u tha se kjo bëhet si tentativë për të adresuar korrupsionin më të thellë përmes politikave transparente.

Diana Metushi-Krasniqi nga KDI, gjatë paraqitjes së raportit, në një konferencë për media tha se janë matur 27 kryeqytete evropiane.
Ajo bëri të ditur se një shqetësim është ngritur lidhur me regjistrin e lobimit, ku hulumtimi ka gjetur se shumë shtete, në mesin e tyre edhe Kosova, nuk kanë ligje të cilat e rregullojnë lobimin.

Tutje, ajo tha se vetëm 12 nga 26 kryeqytetet e matura kanë kthyer përgjigje pozitive në kërkesën për qasje në dokumente publike lidhur me pagën e kryetarit dhe asambleistëve.

Projekti “Qasja në informacione në kryeqytetet evropiane” është udhëhequr nga Transparency International Sllovakia.

loading…