FC Prishtina u eliminua mbrëmë nga Europa League pas humbjes 2-0 nga St Joseph’s në Gjibraltar, në ndeshjen e kthimit të rrethit parakualifikues të kësaj gare. Dhe, Bardhekaltrit për këtë eliminim i kanë fajësuar gjyqtarët e ndeshjes, për të cilët thonë se me vendimet e tyre e fundosën përfundimisht skuadrën kosovare.
Pasi ndeshja e parë e zhvilluar javën e kaluar në Kosovë kishte përfunduar baras, 1-1, prishtinasit eliminohen nga Evropa.
Mirëpo, klubi më i madh kosovar e ka gjetur fajtorin për eliminimin e tij.
Kryeqytetasit i kanë fajësuar gjyqtarët e ndeshjes, për të cilët pretendojnë se “e ndihmuan Prishtinën të fundoset përfundimisht”
“Ka kohë që nuk kemi parë në ndeshjet e Evropës gjykim më skandaloz se sa sot nga gjyqtari amator nga San Marino. Megjithatë, ai nuk bëri ndonjë gjë aq të madhe, vetëm sa i ndihmoi Prishtinës të fundoset edhe më. Ishte Prishtina që ashtu si po dinte po tentonte të mbante kundërshtarin nën presion, krijoi edhe disa raste, por sa për meritë të mosprecizitetit po ashtu edhe të portierit vendas nuk ia doli të shënonte. Krejt kjo zgjati deri te minuta e kobshme e 47-të kur në Bekteshin shkaktohet faull, por gjyqtari qesharak gjykon kontra-faull dhe karton të verdhë për mbrojtësin prishtinas – automatikisht i dyti dhe i kuqi. Reagojnë vrullshëm të gjithë futbollistët prishtinas, ndërsa ndëshkohet kapiteni Dallku, ishte i dyti i verdhë edhe për të dhe përjashtohet edhe ai nga loja”, ka shkruar klubi prishtinas.
“Pas përfundimit të ndeshjes pati mjaft shumë tension, si me gjyqtarët, por edhe ndërmjet zyrtarëve të dy klubeve, por nuk pati ndonjë ekses më të madh se sa ato verbale”, ka përfunduar klubi Bardhekaltër.







