Prishja politike shkakton probleme pronësore mes anëtareve të PSD-së dhe Hysen Durmishit të VV-së

Ndarja politike mes dy grupeve të Lëvizjes Vetëvendosje në fund të vitit 2017, i ka shkaktuar vonesa në zgjidhjen e një kontesti pronësor të disa aktivistëve të Partisë Socialdemokrate me një pronë familjare të Hysen Durmishit.

Toka e babait të zëvendësministrit të Infrastrukturës, në sipërfaqe prej tre hektarësh, është në pronësi joformale të 16 vetave, përfshirë disa aktivistë të PSD-së.

Dalja nga Lëvizja Vetëvendosje dhe mungesa e komunikimit ka bërë që ata të mos arrijnë të ndajnë parcelat siç kishin paguar për to në vitin 2011.

Parcela tre hektarëshe, për të cilën raportoi sot portali Periskopi, ndodhet mes Mushitishtit të Suharekës dhe Brezovicës, në zonën e Dollocit.

Kjo sipërfaqe toke ishte blerë bashkërisht nga disa nga figurat më të njohura të Lëvizjes Vetëvendosje para dhjetë vitesh. Por, për t’ju ikur komplikimeve toka e blerë ishte bartur në emër të një pronari të vetëm. Kishin zgjedhur të vendosen mbi emrin e Ilaz Durmishit, babait të Hysen Durmishit, për shkak të prejardhjes së tij nga ajo zonë.

Portali ‘Paparaci’ ka siguruar emrat e 16 aktivistëve që kishin paguar për tokën në Dollc, por që ende nuk kanë arritur ta përkthejnë pronën e blerë.

Në listën prej 16 vetash figurojnë anëtarë aktual të partisë në pushtet: kryeparlamentari Glauk Konjufca, ministri Liburn Aliu, Erzen Vraniqi dhe bashkëshortja e tij, aktivistët Milot Kelmendi e Skender Jaha, si dhe Fatban Bunjaku, bashkëshorti i ministres në detyrë të Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku.

Për pjesëmarrje në blerjen e tokës kishte paguar edhe zv/ministri Hysen Durmishi.

Ish-deputetja Aida Dërguti, e ndarë nga LVV-ja, po ashtu figuron si bashkëpjesëmarrëse në blerjen e tokës, bazuar në informatat që ka siguruar ky portal.

Ajo, në deklarimin e pasurisë pranë AKK-së në vitin 2017 kishte deklaruar hise prej shtatë ari tokë në parcelën që formalisht figuron në emër të babait të Hysen Durmishit.

Të dorëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje gjashtë vjet pas blerjes së tokës dhe të bashkuar me PSD-në, Nol Nushi, Adem Megjuani dhe vëllai i tij Agron Megjuani kishin paguar për përvetësimin e tre hektarëve tokë në Dollc.

Ata, ende nuk kanë arritur të formalizojnë ndarjen e parcelave sipas marrëveshjes që kishin bërë me njëri-tjetrin në vitin 2011.

‘Paparaci’ ka tentuar të kontaktojë me personat e përfshirë në blerjen e tokës, por disa nuk kanë preferuar të flasin për këtë çështje në kohë fushate elektorale, ndërkaq të tjerë nuk janë përgjigjur.

Por, njëri nga blerësit që nuk është më pjesë e LVV-së, i ka thënë këtij portali në kushte anonimiteti se prona ka mbetur në emër të babait të Hysen Durmishit për shkak të përkatësisë së tij me Komunën e Suharekës.

“Ai është marrë me këto çështjen procedurale meqë është banor i zonës”, ka thënë njëri nga blerësit.

Sipas këtij burimi, ata janë të interesuar që të zgjidhin çështjen me pronën familjare të zv/ministrit Durmishi por për arsye mos-komunikimi rasti është lënë pezull.

Në deklarimet e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, Hysen Durmishi e ka deklaruar në vlerë prej 40 mijë eurove tokën 3 hektarëshe, pronë familjare, që pretendohet nga 16 veta.

Çmimi i saj nuk ka lëvizur as në raportimin e tij më 2014 e as në raportimin e tij në vitin 2021.

Periskopi sot raporti për mbështetjen që i dha zv/ministri Durmishi projektit rrugor Mushtisht-Brezovicë, i cili shkon përskaj pronës së babait të tij.

Durmishi, në një adresim publik në Facebook lidhur me artikullin, deklaroi se rruga që do të lidh Mushtishtin e Suharekës me Brezovicën – projekt të cilit ai i ka dhënë prioritet si zv/ministër – kalon “larg atyre livadheve” të cilat janë pronë e babait të tij.

“Rrugën pra unë nuk e kam filluar sepse ajo ka nisur shumë para se unë të vij në ministri si zëvendësministër dhe e dyta rruga nuk kalon afër livadheve të babait tim por larg atyre livadheve”, ka thënë Durmishi.

Zëvendësi i ministrit Liburn Aliu ka nënkuptuar se për parcelën prej tre hektarëve tokë që ndodhet në afërsi të aksit rrugor Mushtisht-Brezovicë dihet publikisht pronësia në emër të babait të tij.

“Ato livadhe janë blerë në vitin 2011, pra para 10 viteve dhe i kam të deklaruara në deklarimin e pasurisë, ashtu siç janë, pra pronë të babait tim”, vijion Durmishi.

Durmishi, që disa javë më parë e cilësoi me “interes të veçantë” projektin që çon kah “livadhet” e të atit, sot nuk pretendon dorë mbi projektin.

“Rruga Mushtisht – Shtërpce është kontratë e Komunës së Suharekës e nënshkruar me 19 korrik 2018 dhe me memorandum me Ministrinë e Infrastrukturës”, deklaroi Durmishi.

Interesi personal: Hysen Durmishi urgjentisht nis punimet në rrugën kah livadhet e babës

Ishte viti 2011, dhe në Lëvizjen Vetëvendosje po mbretëronte harmoni e vërtet. Asokohe, kjo harmoni gati familjare i kishte joshur disa prej figurave kryesore të kësaj partie që të investonin së bashku edhe në pasuri të patundshme.

Planifikonin të ndërtonin vila në një zonë malore për vete dhe për biznes.

Toka ishte gjetur, çmimi ishte i leverdishëm, dhe miqësia mes bashkëpronareve të ardhshëm dukej e përjetshme.

Mes Mushitishtit dhe Brezovicës, në zonën e Dollocit, në vitin 2011, u blenë 3 hektarë tokë.

Burime të Periskopi, kanë treguar se kjo sipërfaqe toke ishte blerë bashkërisht nga disa nga figurat më të njohura të Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, për t’ju ikur komplikimeve toka e blerë u bartë në emër të një pronari të vetëm. Pronari i ri, i ra për hise të jetë, Ilaz Durmishi, babai i Hysen Durmishit.

Hysen Durmishi, tokën e blerë e kishte deklaruar edhe në Agjensionin Anti Korrupcion (AKK).

Durmishi e ka deklaruar këtë pronë me emrin “livadhet”, dhe i ka vënë vlerën e 40 mijë eurove. Çmimi i saj nuk ka ndërruar as në raportimin e tij më 2014 e as në raportimin e tij në vitin 2021.

Vendndodhja e kësaj parcele tre hektarësh, e posaçërisht pronësia e saj, dyshohet se është shkaku kryesor se pse Ministria Infrastrukturës e ka kaq ngut përfundimin e saj.

Vet zv/ministri i Infrastrukturës Hysen Durmishi, më 6 tetor të këtij viti, në shoqërimin e Salih Zybës, kandidat i VV-së për kryetar të Suharekës, mori pjesë në fillimin e punimeve për rrugën që lidh Mushtishtin me atraksionin më të madh turistik të Kosovës, Brezovicës.

“… Prandaj, po investojmë në ndërtimin e kësaj rruge me interes të veçantë. Shpejt do të zgjidhen disa probleme të vogla pronësore në mënyrë që të shtohet dinamika, që rruga të përfundojë vitin e ardhshëm [2022]”, shkoi zv/ministri Durmishi në një postim në Facebook.

Por, Durmishi nuk njoftoi opinionin publik se po investohej mu në rrugën që do ta kalonte nga toka që është në emër të babait të tij, Ilazit, dhe të cilën e kishte blerë bashkë me aktivistë nga Vetëvendosje.

Sidoqoftë, zv. ministri i Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i pyetur nga gazetari i Periskopit për interesin e veçantë që kjo rrugë të shtrohej tani, është përgjigjur shumë shkurt.

“A e di çka? Shkoni pyetne babën tem se [toka] në emër të tij është… Hajt tung!”

Burime të Periskopit dhe Paparacit tregojnë se të përfshirë në blerjen e këtyre tre hektarëve, përveç Hysen Durmishit, janë edhe funksionarë të lartë të Vetëvendosjes, Qeverisë së sotme dhe Kuvendit aktual, por edhe disa nga aktivistet e sotëm të PSD’së, që dikur ishin pjesë e VV’së.

Periskopi ka provuar të kontaktojë disa nga aktivistët dhe zyrtarët që kanë blerë pronën për ta ndarë në parcela, por asnjëri prej tyre nuk janë përgjigjur.

Mbetet e paqartë ujdia mes aktivistëve të Vetëvendosjes që kanë blerë tokën në Mushtisht, duke qenë se ajo është zyrtarisht në emër të Ilaz Durmishit, babait të Hysenit.

Ajo që dihet është se aktivizmi politik nuk ishte i vetmi aktivizëm që bënin aktivistët – pronarë të kësaj toke. Ata kishin bërë edhe aktinizëm ekonomik së bashku duke e kuptuar qysh para 10 vitesh “interesin e veçantë” të kësaj rruge.

Parcelat e blera mbajnë numrat 2075, 76, 77, 78, 2086, zona nën gurin e Dellocit, dhe nuk kanë distancë të largët nga traseja e rrugës së re.

Investimi në rrugën e re, për ta lidhur Mushitishtin me aktraksionin më të madh turistik të Kosovës, Brezovicën, padyshim se do ta shumëfishojë vlerën e tokave përskaj saj. Gjithsesi edhe të tokës së Ilaz Durmishit.

Çdo investim infrastrukturor në vend është i dobishëm, por dyshimet për ngutinë në përfundimin e kësaj rruge shtohen kur të kihet parasysh se prej ardhjes në pushtet të Qeverisë Kurti shumë projekte infrastrukturore janë stopuar, ndër to edhe rruga shume strategjike që e lidh Deçanin me Plavën në Mal të Zi.

Pikërisht dje, Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, shefi i Durmishit, ka thënë se rruga e nisur në Deçan, në drejtim të Malit të Zi, “s’është rrugë, është rrugë Deçan-bjeshkë”.

Aliu ka aluduar se motivi për asfaltimin e kësaj rruge (Deçan – Plavë) mund të ketë qenë ndërtimi i vilave pa leje.

“Zyrtarisht nuk ka. Tjetër që ish-kryeministri thotë Deçan-Plavë. Zyrtarisht s’ka rrugë të tillë. Do të kenë mundësinë në bjeshkë të marojnë edhe vila pa leje përskaj rrugës së asfaltuar siç është e paraparë me projekt, ndoshta ky ka qenë edhe motivi kryesor”, ka shtuar Aliu.

Kur Qeveria Kurti mori vendim për ndërprerjen e punimeve në rrugën që lidh Deçanin me Plavën, zëvendësministri, Hysen Durmishi e arsyetoi duke thënë se kjo rrugë nuk është në interes të vendit, por çon në stane të atyre që e kanë nisur. Me këtë aludonte tek Ramush Haradinaj, kryeministër i asaj kohe. Tash, Durmishi rrugën Suharekë – Brezovicë që kalon skaj pronës së tij, si të interesit të veçantë. /Periskopi/