Prishet pajisja, urdhërohet ndërprerja e punës në sallat operative në Spitalin e Gjakovës

Spitalit Rajonal i Gjakovës “Isa Grezda” prej martës ka marrë vendim që në sallat operative të punojë vetëm me raste emergjente.Ky vendim ka ardhur si pasojë e prishjes së Autoklavit, mjet ky i domosdoshëm për sterilizimin e pajisjeve mjekësore.

Vendimi është marrë nga Këshilli Drejtues i Spitalit dhe është i vlefshëm deri në riparimin e Autoklavit, por që nuk është bërë e ditur se kur do të riparohet pajisja.

Udhëheqësit e spitalit në Gjakovë u kanë kërkuar të gjithë shefave të reparteve që ta respektojnë vendimin për tu marrë vetëm me raste emergjente në sallat operative.

Vendimi është nënshkruar nga drejtori i Spitalit Rajonal të Gjakovës, Jeton Zarari.

Në rast të mosrespektimit të vendimit të Këshillit Drejtues, shefat e reparteve janë “kërcënuar” me pasoja ndëshkuese ndaj të gjithë të përfshirëve.

“Ju njoftojmë se për shkak të prishjes së Autokllavit, urdhërohen të gjithë Shefat e Njësive Operative, se duhet të punohet vetëm me raste urgjente. Nuk ka plan operativ deri në riparimin e Autokllavit. Cdo shkelje e këtij vendimi, do të ketë pasoja nëshkuese, për të gjitha palët e involvuara, thuhet në vendimin e marrë nga Këshilli Drejtueses i spitalit të Gjakovës “ Isa Grezda”, të cilin e ka siguruar Paparaci.

Autoklavi përdoret në mjedise mjekësore dhe laboratorike për të sterilizuar pajisjet dhe mbetjet laboratorike./Paparaci.com/