Prigozhin: Wagner humbi 20,000 burra në betejën për Bahmut

Yevgeny Prigozhin, kreu i formacionit mercenar të Rusisë, Wagner, tha se trupat e tij kishin humbur më shumë se 20,000 burra në betejën rraskapitëse për qytetin Bakhmut në Ukrainën lindore.

Ai deklaroi se rreth gjysma e të vdekurve ishin të dënuar të rekrutuar të cilëve u ishte premtuar liria nëse pranonin të luftonin.

Prigozhin tha gjithashtu se forcat ruse vranë civilë gjatë luftës në Ukrainë, të cilën Moska e mohon me forcë.

Në një intervistë me strategun politik Konstantin Dolgov, Prigozhin vlerësoi se qëllimi rus për “çmilitarizimin” e Ukrainës dështoi sepse ushtria ukrainase u bë më e fortë për shkak të armëve që merr nga Perëndimi, i cili gjithashtu e trajnon atë.

Ai vlerësoi gjithashtu se kundërofensiva e pritshme e ushtrisë ukrainase është reale, duke pasur parasysh mbështetjen e vazhdueshme të Perëndimit. Kjo kundërofensivë, thotë ai, mund të çojë në shtyrjen e trupave ruse nga jugu dhe lindja e Ukrainës, duke përfshirë Krimenë, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014. Të dhënat e Prigozhin për humbjet e Wagnerit janë në kontrast të fortë me të dhënat e Moskës zyrtare se Rusia humbi vetëm 6000 ushtarë nga fillimi i luftës 15-mujore deri në janar të këtij viti.

Agjencia Associated Press tregon se humbjet e ushtrisë së ish-Bashkimit Sovjetik në Afganistan në periudhën dhjetëvjeçare nga viti 1979 deri në vitin 1989 ishin rreth 15.000 ushtarë.

Ukraina nuk njofton se sa ushtarë ka humbur që nga 24 shkurt 2022, kur Rusia e sulmoi dhe filloi të pushtojë territorin e saj.

Analistët e luftës besojnë se vetëm beteja nëntë-mujore për Bahmutin u kushtoi jetën dhjetëra mijëra ushtarëve, përfshirë të dënuarve rusë, të cilët, sipas raporteve, nuk kishin trajnim adekuat luftarak përpara se të dërgoheshin në frontin ukrainas.

Intervista e Prigozhin e transmetuar në kanalin Telegram me vetëm 50,000 ndjekës nuk u raportua nga media shtetërore ruse dhe media miqësore ndaj Kremlinit dhe nuk përmendet as në mesin e blogerëve ushtarakë.