Prifti i ndjerë meksikan dyshohet për abuzimin seksual të 60 djemve

Marcila Maciel, themeluesi tashmë i ndjerë meksikan i grupit ultra-konservator kishtar “Legjionarët e Krishtit”, besohet se i ka abuzuar seksualisht së paku 60 djem të rinj. Kështu thuhet në raportin e publikuar të shtunën nga ky grup.

Maciel ishte ndëshkuar nga Papa Benedikti i XVI-të në vitin 2006, kur ishte dërguar në pension të detyrueshëm pas dyshimeve të vazhdueshme se i ka abuzuar seksualisht djemtë e rinj.

Ai kishte vdekur dy vjet më vonë, në moshën 87-vjeçare,  pa u përballur asnjëherë në mënyrë të drejtpërdrejtë me akuzuesit e tij.

Në këtë raport gjenden emrat e 33 priftërinjve që kanë shërbyer në tetë dekadat e fundit. Ata dyshohen për 175 raste të abuzimit të fëmijëve.

“Nga 33 priftërinj, gjashtë prej tyre kanë vdekur pa u gjykuar, një është dënuar dhe një tjetër është në proces të gjykimit”, thuhet në këtë raport.

Ndonëse aty nuk përmendet koha se kur dyshohet të kenë ndodhur këto abuzime, disa burra në të kaluarën e kanë akuzuar të ndjerin Maciel për ngacmim seksual nga vitet e dyzeta deri në vitet e gjashtëdhjeta.

Para se të vdiste, Maciel i kishte mohuar kategorikisht akuzat për abuzim seksual, shkruan “Reuters”.