“Prezenca e KFOR-it në kufij do ta qetësojë situatën”

Me marrëveshjen e arritur, nga 2 tetori, në kufij do të qëndrojnë pjesëtarët e KFOR-it. Kjo po cilësohet si hap i rëndësishëm për qetësimin e situatës.

Një vendim i Qeverisë, aktivizoi njësitë elite të Policisë së Kosovës.

Masa e reciprocitetit ndaj Serbisë, për tabelat e veturave, bëri që Njësitë Speciale të qëndrojnë për orë të tëra në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Orari i tyre fleksibil, shpesh zgjati për më shumë se njëzet orë.

Por ka disa ditë, që për ta monitoruar situatën, u panë edhe pjesëtarë të misionit paqeruajtës të KFOR-it.

Ndërkaq, nga 2 tetori të njëjtit do të mbikqyrin situatën, për një ambient të sigurt.

Pjesëtarët e KFOR-it do të qëndrojnë për më së shumti dy javë këtu.

Kjo është pjesë e marrëveshjes së arritur në Bruksel.

E ky vendim, po cilësohet si hap pozitiv drejt qetësimit të situatës nga ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati.

Sipas tij, përgjatë kësaj kohe, njësite speciale ishin të rrezikuar.

Kastrati thotë se pritet që prezenca e KFOR-it këtu, të sigurojë stabilitet.

Njësoj vlerëson edhe ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, i cili thotë që vetëm intervenimi i KFOR-it, do ta shtensionojë situatën.

Por, Ahmeti shprehet se gjatë kohës sa kanë qëndruar, pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë treguar mjaft profesionalë.

Banorët lokal serbë, për 11 ditë kanë protestuar kundër vendimit të shtetit të Kosovës për reciprocitet.