Alvaro Morata prezantohet te Atletico Madridi.
Sulmuesi është rikthyer të luajë në Spanjë, tek ekipi ku dhe ka hedhur hapat e tij të parë si futbollist, duke luajtur me skuadrat e moshave.
Në një intervistë të dhënë për faqen zyrtare të “Los Ccholchoneros”, Morata u shfaq entuziast për kalimin tek Atletico dhe se shpreson që të japë më të mirën, por njëkohësisht edhe të qëndrojë gjatë këtu.
“Ndihem mirë dhe krenar që ndodhem këtu. E di shumë mirë që drejtuesit e klubit kanë sakrifikuar jo pak për të bërë të mundur realizmin e këtij operacioni. Hapat e mi të parë i kam hedhur pikërisht këtu, ndaj ndihem edhe më i lumtur që i jam ribashkuar këtij ambienti. Kur më telefonuan drejtuesit e skuadrës dhe me treguan në lidhje me dëshirën e tyre, nuk e mendova gjatë. Mezi pres të zbres në fushë dhe të luaj”, tha Morata.
Më pas sulmuesi foli për trajnerin Diego Pablo Simeone, si dhe sulmuesin tjetër të Altetico Madridit, Diego Costa, për të cilët Alvaro Morata deklaroi se ka një raport shumë të mirë.
“Mezi po pres të punoj me Simeonen. Është një trajner i madh, i cili ka bërë gjëra të mëdha me këtë skuadër. Shpresoj dhe besoj se nuk do ta zhgënjej atë. Përsa i përket raportit me Costën, përveçse është një lojtar i madh, është edhe mik i imi, ndaj jam i sigurt se bashkë do ta ndihmojmë ekipin”, tha sulmuesi spanjoll.







