Hasan Preteni

Preteni ‘shfryhet’ për inate personale, dikur i kërkoi Maxhunit t’ia punësonte jashtëligjshëm djalin në Polici

Ish- shefi i Agjencisë Antikorrupsion, Hasan Preteni nuk është përmbajtur nga komentet derisa ka akuzar shefin e AKI-së, Shpend Maxhuni dhe Kryeprokurorin Aleksandër Lumezi për gjëra të paqena.

Madje, Preteni nuk ka nguruar t’i quajë kapës të shtetit.

Por, Indeksonline mëson se po i njëjti gjithë këtë mllef e ka shpalosur me motive personale.

Derisa, Maxhuni ishte në krye të Policisë së Kosovës, Preteni i kishte kërkuar atij t’ia punësonte djalin në po të njëjtin institucion, me arsyen se ai kishte përfunduar studimet në Turqi.

Preteni nga ana e Maxhunit, poashtu kishte kërkuar që djali i tij mos t’iu nënshtrohej procedurave dhe rregulloreve të gradimit, gjë e cila është kundërshtuar atë kohë nga i pari i Policisë së Kosovës, pasi që bie ndesh me ligjin.

Maxhuni kategorikisht refuzoi një gjë të tillë, dhe nuk pranoi që të mos përfillet ligji në rastin e djalit të Pretenit.

Tutje, Preteni nuk zmbrapsej nga ideja se djali i tij meritonte një pozitë udhëheqëse në Policinë e Kosovës, siç është pozita e ‘komandantit’, dhe këtë u mundua ta realizonte edhe në mënyra tjera duke kërkuar favore edhe nga udhëheqës të dikastereve tjera.

Kështu, Pretenit nuk iu mjaftua presioni që i bëri vazhdimisht Maxhunit, derisa kërkoi edhe nga Ministri i Punëve të Brendshme t’ia kryente këtë favor rreth punësimit të djalit të tij.

Poashtu, vlen të përmendim faktin se djali i Pretenit kishte gëzuar privilegje të ndryshme, veç pse ishte djali i tij. Kështu, po i njëjti me para të taksapaguesve kosovar ishte përzgjedhur pa asnjë kriter për të vazhduar studimet në Turqi.

Kjo nuk ishte hera e parë që Preteni, u mundua të shfrytëzonte pozitën e tij udhëheqëse.

Preteni ani pse për dy mandate ka qenë drejtor në Agjencinë Antikorrupsion, nuk është se është lëvduar për punën e tij.

Është për të ardhur keq si si një person që dikur drejtonte një institucion kaq të rëndësishëm, kërkoi punësime në mënyra të tilla, të kundërligjshme.

Derisa, Preteni udhëhiqte agjencionin nuk është se ka kryer punën si duhet, kjo pasi që asnjëherë nuk është se ka raportuar siç duhet rreth deklarimeve për zyrtarët e lartë të shtetit.

Por, po i njëjti dukshëm ka qëndruar gojë-mbyllur derisa i është servuar torta në pushtet.