Pretendime e akuza për kurdisje konkursi për zv.avokat të Popullit

Juristi Selman Ymeri po pretendon se i është bërë e padrejtë në një konkurs të organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit për pozitën e zv.avokatit të Popullit.

Juristi Selman Ymeri ishte kandidat për pozitën e zëvendësit te Avokatit të Popullit gjatë muajit mars të vitit 2022, konkurs i cili kishte dështuar në vitin 2021.

Ymeri aty iu nënshtrua dy vlerësimeve, testit me shkrim dhe intervistës, në të cilat konsideron se ishte i saktë por se nga pesë pjesëtarë të komisionit për vlerësim, ishte vetëm Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ai që ia dha minimumin e pikëve.

“Nga 40 pikë të cilat ka qenë maksimumi për ti fituar cilido kandidat, ky punimin tim e ka vlerësuar jashtëzakonisht keq, me 18 pikë që është skenar i përgatitur, nga katër kandidatë tjerë kam fituar maksimumin e pikëve”, ka thënë Selman Ymeri, jurist me profesion.

E për të gjitha rezultatet e procesit të rekrutimit, ish-kandidati Ymeri thotë se duhet të kishte raport të veçantë të përgatitur..

“Nga 26 kandidatë që iu kanë nënshtru testit me shkrim unë jam i dyti me poena… Në padinë time që e kam parashtruar në Gjykatën Themelore do të kërkoj ekspertizë të nevojshme për punimin tim, se a janë meritore pikët që kam marrë nga 4 kandidatë tjerë apo nga avokati i popullit”, ka shtuar ai për T7.

Më tutje ai rrëfen se si mori qasje të pjesshme për dokumentet që i kërkoi, për të cilën gjë u ankua në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

“Në vendimin e Agjenicë për Informim dhe Privatësi, thuhet se Avokati i Popullit nuk e ka nxjerrë fare raportin sipas nenit 16 të rregullores për përzgjedhjen e zv. Avokatit”, ka përfunduar Ymeri.

Për të gjitha pretendimet e Ymerit se në konkurs kishte padrejtësi por edhe kurdisje, zëdhënësi i Avokatit të Popullit, Petrit Çollaku, ka një përgjigje.

“Këto janë dokumentet e secilin anëtarë që ka bërë vlerësimin e secilit kandidat, ku nuk e ka ditur se kush cilin tekst e ka punuar dhe emrat i kanë me kode që askush të mos e dijë se kush janë”, ka thënë Petrit Collaku nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

Çollaku flet edhe për raportin që kërkohet në bazë të nenit 16 të rregullores.

Ai thotë se të gjitha raportet e nevojshme ekzistojnë dhe i janë dorëzuar Ymerit si dhe Agjensicë për Informim.

“Kanë bërë pyetje që nëse avokati i popullit ka një dokument të tillë që personi në fjalë e kërkonte, dhe ne kemi dhënë raportin ku është vendimi i fundit që Agjencia për Informim dhe Privatësi e cilëson kërkesën e Ymerit si të pabazuar”, ka shtuar Collaku.

Nga Institucioni i Avokatit të Popullit thanë se nuk kanë pranuar ndonjë ftesë nga Gjykata Themelore në Prishtinë edhe pas padisë ndaj tyre./T7/