Presioni kundër vendimit për dëshminë e tri vaksinave, MSh pritet që sot të rishikojë vendimin

Pas disa muajve “rehati” sa i përket numrit të rasteve me COVID-19, tashmë rritja e rasteve rrezikon sërish qytetarët e Kosovës.

Nga 100 raste aktive sa ishin, tashmë numri i raste aktive 17 mijë e 743.

E si pasojë e këtyre rasteve ditë më parë Qeveria e Kosovës mori vendim për vendosjen e masave të reja antiCOVID.
Padyshim se në mesin e këtyre masave nuk mungon ora policore.

Por duke shkuar edhe më larg, Qeveria Kurti vendosi që të gjithë ata që duan të hyjnë në Kosovë duhet të kenë dëshminë e vaksinimit me tri doza të vaksinës antiCOVID.

E ky vendim i marrë nga Qeveria duket se do të rishikohet.

Sipas burimeve të lajmi.net, Ministria e Shëndetësisë do të rishikojë sot vendimin e marrë e që ka të bëjë pikërisht me nevojën e domosdoshme për certifikatën e vaksinimit me tri doza.

“Qytetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës duhet të kenë tri dozat e vaksinës antiCOVID, apo dy doza dhe testin PCR negativ, jo më të vjetër se 48 orë”, thuhet në vendim.

Ky vendim bëri që reagime të shumta të ketë nga përfaqësuesit e vendeve fqinje.

Është pikërisht ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Bekim Sali ka zhvilluar së fundi një bisedë telefonike me ministrin e Shëndetësisë në Kosovë, Rifat Latifi.

Ata përgjatë kësaj bisede ka diskutuar lidhur me masat e reja antiCOVID ndaj të gjithë shtetasve të huaj që hyjnë në Kosovë.

I pari i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut kërkoi që të rishqyrtohet vendimi për dëshminë e tri vaksinave për të hyrë në Kosovë.

“Ministri Bekim Sali shprehu mirëkuptim për vendimin e qeverisë kosovare, që ka ardhur duke e pasur parasysh gjendjen epidemiologjike në shtetin fqinj, si dhe kapacitetet e tyre për përballjen me këtë valë të virusit. Po ashtu, ministri Bekim Sali ia përcolli kolegut të tij kosovar edhe brengën e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, që kanë lidhje familjare, biznesore e detyrime të tjera që i lidhin me Kosovën, e të cilët kjo masë i ka kufizuar ndjeshëm.” thuhet në një postim në Facebook të Ministrisë së Shëndetësisë të Maqedonisë së Veriut.

Tutje, bëhet e ditur se duke konstatuar bashkërisht se gjendja me pandeminë në të dyja vendet është gati e njëjtë, Sali i kërkoi Latifit, që të rishqyrtohet ky vendim.

I pari i shëndetësisë në Maqedoni të Veriut propozoi gjithashtu të kërkohet një mundësi tjetër që edhe të mbrohet shëndeti i qytetarëve të të dyja vendeve, por edhe të mos pengohet qarkullimi i tyre i lirë.

Një kërkesë të tillë e pati edhe zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grupi.

Grupi kërkoi nga Qeveria Kurti që të rishqyrtojë vendimin.

Një kërkesë të tillë të hapur e pati mëngjesin e sotëm edhe Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.

Ajo theksoi se qytetarëve të Preshevës po u vështirësohet qarkullimi pasi jo të gjithë kanë kaluar gjashtë muaj nga vaksina e dytë për të marrë të tretë, e shumë të tjerë nuk kanë kushtet financiare që të testohen me test PCR gjatë çdo qarkullimi.

“Ftoj Qeverinë e Kosovës që ta rishqyrtojë vendimin përkatës, apo edhe ta plotësojë, drejt lehtësimit të lirisë së lëvizjes së qytetarëve të rajonit tonë”, tha ajo.

E kundër këtij vendimi sot në pikën kufitare në Morinë të Shqipërisë do të ketë protesta.

Kjo protestë është thirrur me qëllim të heqjes së pengesës për lëvizje të lirë të shtetasve shqiptarë, të cilët nuk janë të vaksinuar me të tri dozat e vaksinës kundër COVID-19, siç e parasheh vendimi i Qeverisë së Kosovës, që askush nuk mund të hyjë në Kosovë pa pasur dëshminë e vaksinimi me të tri dozat e vaksinës.

“Njoftohen të gjithë banorët e rrethit të Kukësit se më datë 24.01.2022 në orën 10 do të zhvillohet një grevë paqësore pranë doganës së Morinit. Për arsye të heqjes së pengesave të lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë nga ana e Qeverisë së Kosovës. kërkojmë mbështetjen e të gjithëve pasi nuk është protestë politike por paqësore në shërbim të komunitetit”, ka njoftuar organizatori i kësaj proteste Rakip Matmuja.

E kundër këtij vendimi dolën edhe shumë mërgimtarë.

Madje të njëjtit deklaruan se një kërkesë e tillë nuk po u bëhet në asnjë vend tjetër të Evropës, përpos në Kosovë.