Presidentja shkon në Panama për të biseduar për disa marrëveshje të vitit 2018, një prej tyre kundër krimit të organizuar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot është nisur për vizitë zyrtare në Panama.

Kështu ka bërë të ditur Zyra e Presidentes së Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Nga një raport i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të cilin e ka siguruar Demokracia.com, ministri kjo që e ka përgatitur vizitën e Osmanit në Panama, merret vesh se presidentja atje do të diskujtojë rreth ri-inicimit të tri draft marrëveshjeve më Panama të vitit 2018.

“Ri inicimi i tri draft marrëveshjeve me Panamanë nga viti 2018, si draft marrëveshja për heqje reciproke të vizave për mbajtësit e pasaportave Diplomatike dhe Zyrtare; draft marrëveshja për bashkëpunim policor në shkëmbimin e informacioneve dhe draft marrëveshja kundër krimit të organizuar.”, thuhet në raportin e MPJD-së.

Ndërkohë, Zyra e Presidentes sot ka njoftuar se Osmani ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Panama.

Ajo gjatë vizitës në Panama do të pritet nga homologu i saj, Laurentino Cortizo Cohen.

Osmani do të marrë pjesë në zbulimin e shtatores së Shën Nënës Terezë.

E para e shtetit të Kosovës do ta vizitojë edhe Kosta Rikan, ku do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të këtij vendi, Rodrigo Chaves, njofton Presidenca.

“Presidentja Osmani, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Republikën e Panamasë dhe në Republikën e Kosta Rikës Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka udhëtuar fillimisht në Panama, për vizitë zyrtare në këtë shtet, për të vazhduar pastaj vizitën zyrtare në Kosta Rika. Gjatë vizitës në Panama, Presidentja Osmani do të pritet në takim nga homologu Laurentino Cortizo Cohen, teksa do të zhvillojë takime edhe me institucione dhe organizata të tjera. Në këtë vizitë, Presidentja Osmani pritet të marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Nënë Terezës, si dhe në një Forum të përbashkët me ministren e punëve të Jashtme të Panamasë, znj. Erika Mouynes. Pas vizitës në Panama, Presidentja me ftesë të presidentit të Kosta Rikës, do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të këtij shteti, z. Rodrigo Chaves. Kosta Rika sipas datës së njohjes, është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa vizita e Presidentes Osmani është e para e një lideri të Kosovës në këtë shtet. Në kuadër të kësaj vizite, Presidentja Osmani pritet të ketë edhe takime të tjera”.