“Presidentja po lejon sekretarin e VV’së të kryejë kundërligjshëm detyrën në KQZ”

Eugen Cakolli nga KDI ka folur për një situatë të kundërligjshme që sipas tij, Presidentja Vjosa Osmani është duke e toleruar që afro 3 muaj.

Cakolli thotë se janë bërë gati tre muaj që kur anëtari i KQZ-së, Alim Rama, ka papajtueshmëri ligjore në ushtrimin e këtij mandati, për shkak të emërimit në pozitën e Sekretarit Organizativ në LVV.

Ai thotë se Presidentja Vjosa Osmani po kryen shkelje duke mos përmbushur obligimet ligjore për zëvendësimin e tij.

“Edhe muaji janar, i përmendur si kohë e fillimit të ushtrimit të mandatit nga Rama – sado që kjo është absurde – po kalon. Kësisoj, vet Presidentja po kryen shkelje duke mos përmbushur obligimet ligjore për zëvendësimin e tij”, shkroi Cakolli në një postim në Facebook.

Ndryshe, më 23 tetor të vitit të kaluar, Alim Rama u zgjodh sekretar organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje. Zgjedhja në këtë pozitë, mund të bie ndesh me pozitën që ai aktualisht mbanë si përfaqësues i këtij subjekti pranë Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve.

“LIGJI NR. 03/L-073 PËR ZGJEDHJET E PËRGJITHSHME NË REPUBLIKËN E KOSOVËS, në nenin e lartpërmendur, shprehimisht shkruan se “neni 61.8 Personi nuk ka të drejtë të jetë anëtar i KQZ-së nëse është: pika e) zotërues i një posti të lartë publik ose i një posti të lartë në parti politike”.

E pikërisht ky ligj, implikon edhe presidenten e vendit, e cila ka në kompetencën e saj për emërim dhe zëvendësim të anëtareve të partive politike pranë këtij institucioni.