Presidentja Osmani s’i lë kosovarët të gëzohen: Mos i ngritni shpresat lart për vizat

Ditëve të fundit është përfolur shumë që deri në fund të vitit, të merret një vendim për heqjen e vizave për kosovarët. Megjithatë, presidentja Vjosa Osmani këshillon që të mos shpresohet shumë.

Osmani në një intervistë për RTV 21, ka deklaruar se ka përkrahje të plotë nga presidenca çeke se çështja do të shtyhet përpara, por se vendimi merret nga shtetet veç e veç në nivel të Këshillit Evropian.

“Kemi marrë përkrahjen e plotë se presidenca çeke do ta shtyjë përpara këtë çështje. Vendimi final merret në nivel të shteteve anëtare. Kemi komunikim të vazhdueshëm me këto shtete. Komisioni ka më shumë se 4 vite që ka rekomanduar liberalizimin, tani shtetet veç e veç në nivel të Këshillit, prandaj edhe bisedime e mija me presidentin e Këshillit, me partnerët çekë dhe shtetet veç e veç tregojnë se ka një momentum të mirë, më të mirin në këto 4 vite”, ka thënë ajo.

Presidentja mes tjerash, këshilloi që të mos shpresohet shumë për këtë çështje, pasi që nuk varet nga Kosova, e cila deklaron se ka plotësuar të gjitha kriteret kohë më parë.

“Por do të thoja që të mos ngriten shpresat lart, sepse kjo nuk është diçka që varet shumë nga Kosova. Kosova ka plotësuar kriteret kohë më parë, ne e bëmë punën tonë, larguam shqetësimet e partnerëve, përfshirë Franca dhe Holanda, e kam marrë konfirmimin edhe nga vetë presidenti Macron se do ta mbështesë çështjen e vizave. Kemi shpresa, por duhet të jemi të kujdesshëm në atë që shpresojmë, sepse ky është një votim që varet nga shtetet anëtare”, tha ajo.