Presidentja e Kosovës

Presidentja i referohet si Asociacion e jo si “Neni 7”, thotë se draft-statuti duhet të shkojë në Kushtetuese

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në vend si dhe tema të tjera të interesit të përbashkët.

Në takim u diskutua edhe për të rejat e fundit nga procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku Presidentja Osmani theksoi se Kosova është treguar vazhdimisht palë konstruktive, ndërsa Serbia vazhdon me qasjen selektive që pamundëson zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

Ajo gjithashtu theksoi se propozimi për draf-tstatutin e Asociacionit duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese, njofton Presidenca.

Osmani nënvizoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-të për të arritur progres në procesin e dialogut.

Presidentja përdori termin Asociacion, të cilin kryeministri Kurti e ka shmangur, duke iu referuar si “Neni 7” i marrëveshjes së fundit me Serbinë.