Von der Leyen

Presidentja e KE-së sot në Kosovë, takohet me Osmanin e Kurtin

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka nisur një vizitë katërditore në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Sipas njoftimit Von der Leyen, sot do të jetë në Prishtinë ku do të zhvilloj takime me kryeministrin dhe presidenten.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi të lëshuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

“Të hënën ajo do të udhëtojë për në Prishtinë, ku do të takohet me Presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”, thuhet në njoftim.

Pas vizitës në Prishtinë, Von der Leyen pasdite do të udhëtojë për në Beograd. Atje ajo do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe me kryeministren, Ana Brnabiq.

Presidentja e KE-së thuhet se do të mbajë konferenca për shtyp gjatë të gjitha vizitave të saj dhe ato do të transmetohen në EbS .

Vizita vjen pas takimeve që Von der Leyen pati në Shqipëri në fillim të këtij muaji, në datat 15-16 tetor, ku mori pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit.