Publikimi i shpenzimeve të deputetëve dhe shumat marramendëse kanë qenë temë kryesore e çdo debati, në TV, familje e rrjete sociale.

Shumë prej deputetëve, duke tentuar të arsyetohen, thanë që nuk e kanë ditur se kompensohen.

Një deklaratë të tillë e bëri edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila nga viti 2011 deri më 2014 i kishte marrë rreth 4 mijë euro kompensim për udhëtimin nga Mitrovica në Prishtinë, ndonëse prej vitit 2012 ajo vetë ka deklaruar se jeton në kryeqytet.

Presidentja Osmani mbrëmë në një intervistë në televizionin publik tha se kur ishte regjistruar atë kohë nuk e ka ditur se do të kompensohej për udhëtim.

“Unë për herë të parë kam dëgjuar që ka kompensim për udhëtim tash kur ka dal kjo punë më media, shumë para se të flitej për emrin tim kur doli për deputetët që këtë vit kanë marrë kompensim. Atëherë kam dëgjuar për herë të parë për këtë kompensim”, tha Osmani për RTK-në, shkruan Demokracia.com.

Por, Demokracia.com ka siguruar dokumentin të cilin deputetët e pranojnë çdo muaj nga Sekretariati i Kuvendit, ku u tregohet për pagesat që u janë bërë për muajin paraprak e që është i ndarë në: pagën bazë, mëditjet nga pjesëmarrja në seanca, mëditjet nga pjesëmarrja në komisione, pagesa për shujtat ditore dhe shpenzimet e udhëtimit.

Ky dokument dëshmon se presidentja Osmani dhe shumica e deputetëve kanë mashtruar qytetarët kur kanë deklaruar se nuk e kanë ditur që kanë marrë kompensim për udhëtimet e tyre.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kishte deklaruar se nuk ka qenë në dijeni se është kompensuar nga Kuvendi.

Gashi përmes një postimi në Facebook tha se në mandatin e tij të parë si deputet ka jetuar në Pejë.

Ai kishte thënë se atë kohë s’e kishte ditur se po i mbuloheshin shpenzimet e udhëtimit. Gashi tha se në mandatin e tij të dytë e ka njoftuar Kuvendin se po jetonte në Prishtinë.

Kuvendi i Kosovës ka publikuar listën e shpenzimeve të deputetëve për udhëtime që nga viti 2011.

Mandati im si deputet i Kuvendit të Kosovës është i pesti me radhë. Gjatë mandatin tim të parë, kam jetuar në komunën e Pejës. Në atë kohë, për pjesën dërmuese të deputetëve, apo ata që jetonin jashtë kryeqytetit, Sekretariati i Kuvendit të Kosovës kishte vlerësuar se duhet t’iu paguhen shpenzimet e udhëtimit. Thënë të drejtën, asokohe as nuk e dija që na takonte një gjë e tillë, gjë që e kam kuptuar me shumë muaj vonesë”, ka shkruar Gashi.

Kuvendi i Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se ka bërë publike shpenzimet e udhëtimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për periudhën 2011-2021.

Për 11 vjet deputetët që morën besimin e popullit në legjislatura të ndryshme që nga 2011-ta, shpenzuan 1.130.749 euro.

Sipas këtyre të dhënave, viti me më së shumti shpenzime ishte viti 2012 me 173.470 euro.

Në vitin 2011 u shpenzuan 29.460 mijë euro, në vitin 2013 deputetet shpenzuan 163.680 euro. Një vit më pas, 2014, u shpenzuan 73.240 euro.

Deputetët në vitin 2015 shpenzuan 119.900 euro, në vitin 2016, 90.913 euro, një vit më pas, 2017, 54.209 euro. Në vitin 2018 deputetët shpenzuan 157.219 euro, një vit më vonë shpenzimet ranë në 76.800 euro. Në vitin 2020 u shpenzuan 91.328 euro dhe në vitin 2021, 100.530.

“Bazuar në interesimin dhe kërkesat e shumta të mediave për qasje në shpenzimet e udhëtimit të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për periudhën 2011-2021, në vazhdimësi të transparencës si dhe në funksion të interesit publik, në linkun e mëposhtëm gjeni shpenzimet e udhëtimit të deputetëve për periudhën e lartcekur”, thuhej në njoftim.

Kuvendi ka sqaruar se kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve është bërë në bazë të vendimit të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nr. 04-V-079, të datës 10 tetor 2011, i nxjerrë në bazë të nenit 20 të Ligjit nr. 03/L-111 për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit.

“Deputeti kompensohet për shpenzimet e udhëtimit si në vijim: deri në 30 km – 10 euro, deri në 60 km – 20 euro dhe mbi 60 km – 30 euro, për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare dhe në komisione. Kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit nuk nënkupton shpenzimet për derivate, por për të gjitha mënyrat e udhëtimit”, thuhej në njoftim.