Sot në trojet shqiptare është shënuar 110 vjetori i alfabetit në Gjuhën Shqipe.

Në Shkup morën pjesë figura të ndryshme shqiptare në mesin e tyre presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan Ballkani.info

Në një postim në Facebook, presidenti Thaçi kujtoi përpjekjen e rilindasëve për alfabetin shqip.

Me alfabetin tonë është shkruar dokumenti i Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912. Është shkruar edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt 2008, shkroi ndër tjerash, Hashim Thaçi.

Postimi i plotë

Njëqindedhjetë vjet më parë, rilindësit tanë krijuan bazë të fuqishme për ndërgjegjen historike, pa të cilën nuk mund të bëhet as interpretimi i së kaluarës, as kuptimi i së tashmes, por as projektimi i së ardhmes. Si atdhetarë të vërtetë, delegatët e Kongresit të Manastirit, me objektivitet shkencor e nën dritën e përkatësisë evropiane të kombit shqiptar, u ngritën mbi logjikën fragmentare, mbi psikologjinë krahinore, mbi përkatësinë fetare dhe morën vendim të interesit mbarëkombëtar. Me alfabetin tonë është shkruar dokumenti i Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912. Është shkruar edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt 2008. Kurse, manifestimet e sivjetme të 110 vjetorit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe janë edhe më të veçanta, pasi që gjuha shqipe tashmë është gjuhë zyrtare edhe në Republikën e Maqedonisë. HTH