Presidenti Thaçi falënderon personelin mjekësor, nuk përmend gjendjen e jashtëzakonshme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në FB ka bërë thirrje që qytetarët të zbatojnë në mënyrë rigoroze masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Ai ka thënë se gjendja aktuale me koronavirus është shqetësuese.

Në postimin e tij, presidenti Thaçi nuk ka përmendur fare gjendjen e jashtëzakonshme, për të cilën më herët të shtunën ka folur Avdullah Hoti. Nga Hoti është lënë e hapur mundësia e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të rritjes së numrit të rasteve.

“Në javën e fundit kishim rritje të madhe të numrit të të prekurve me virusin COVID-19. Gjendja aktuale është tejet shqetësuese dhe kërkohet kujdes maksimal nga të gjithë. Ju bëj thirrje që t’i zbatoni në mënyrë rigoroze masat për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 dhe t’i respektoni rekomandimet e institucioneve shëndetësore. Duke i zbatuar masat dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore, secili qytetar ruan veten, të afërmit e tij dhe gjithë shoqërinë”, ka shkruar Thaçi.

Ai ka falënderuar personelin shëndetësor.

“Si president i vendit shpreh falënderim të madh për gjithë personelin shëndetësor, i cili po e jep maksimumin në këtë betejë të përditshme për të shpëtuar çdo jetë njeriu. Po ashtu u shpreh ngushëllime të sinqerta të gjitha familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre nga ky virus vdekjeprurës”, ka shkruar presidenti i vendit.